Kryetarja e Komitetit Serb të Helsinkit, Sonja Biserko ka deklaruar se Serbia nuk ka shumë zgjedhje përpara saj, ajo ose do të ndryshojë politikën, ose do të mbetet e izoluar.

“Serbia thjesht nuk ka një alternativë tjetër, ose do të ndryshojë politikën, ose do të mbetet e izoluar në Evropë”, është shprehur Biserko për “REL”.

Sipas saj, politika e presidentit Boris Tadic, “edhe Kosova edhe Evropa”, ka dështuar prej kohësh, por ai refuzon ta pranojë.

“Kjo u bë e qartë këtë verë kur u vendosën barrikadat, me synimin për të arritur ndarjen e Kosovës”, ka shtuar Biserko në citimin e saj.

Kundër politikës aktuale të lidershipit serb ka dalë edhe kryetari i liberaldemokratëve, Cedomir Jovanovic, i cili ka thënë se Serbia nuk guxon të sillet si e përgjegjshme.

Ai ka kërkuar një plan të qartë të veprimit lidhur me Kosovën dhe veriun, por edhe për integrimet evropiane.

“Serbia nuk mund të mbrojë identitetin e saj duke shkatërruar të ardhmen. Rezoluta 1244 nuk është zgjidhje”, ka thënë Jovanovic.

Për shkak të qëndrimit të tij, politikani i moderuar serb mori muajin e kaluar një kërcënim me jetë, përmes një letre të mbërritur në selinë e partisë së tij.

Letra kërcënuese mbante firmën e të ashtuquajturës Shoqata e serbëve të Serbisë, Vojvodinës dhe Kosovës, e cila paralajmëroi me likuidim fizik të Jovanovic.

Top Channel