Kriza, bie punësimi në ndërtim e manifakturë

09/12/2011 08:05

Tre vitet e krizës kanë shkaktuar një reduktim të ndjeshëm të numrit të vendeve të punës në ndërtim, industri përpunuese, transport e komunikacion, ndërkohë që punësimi është shtuar në arsim, tregti dhe industrinë e energjisë e ujit.

Këto janë të dhënat e bëra publike nga statistikat zyrtare që grumbullohen nga administrata dhe raportohen nga Instituti i Statistikave, pasqyruar në numrin e së premtes të gazetës “Shqip”.

Në fund të vitit 2010, në Shqipëri kishte 410 mijë persona të punësuar me pagë dhe 507 mijë vetë të klasifikuar si të vetëpunësuar në bujqësi. Të punësuarit janë rritur me 4 mijë në krahasim me vitin 2008, kur nisi edhe kriza.

Industria përpunuese, ku përfshihen veshjet dhe këpucët, është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, me 56 mijë shqiptarë që merrnin një rrogë në këtë sektor vitin 2008. Në vitin 2010, numri i të punësuarve u ul në 53 mijë, por gjatë këtij viti, ndonëse nuk ka të dhëna të sakta, raportohet për një situatë më të mirë te veshjet dhe këpucët.

Sektori i ndërtimit ka shënuar rënien më të madhe gjatë këtyre tre viteve. Në vitin 2008, punësonte 46 mijë vetë ndërsa në vitin 2010, 7 mijë qenë larguar nga puna. Në transport dhe komunikim mësohet se janë reduktuar 2 mijë vende pune, ndërsa në shëndetësi janë shkurtuar 1 mijë vende.

Në krahun tjetër, punësimi ka njohur rritje të konsiderueshme në tregëti, ku janë hapur 5 mijë vende pune apo në arsim, ku janë hapur 5 mijë vende të tjera. Hoteleria dhe restorantet vlerësohet se punësojnë sot 1 mijë vetë më shumë se në 2008-n, ndërsa në rritje ka ardhur punësimi edhe në industrinë nxjerrëse.

Shumica, të papunë afatgjatë

Ekonomia shqiptare ka krijuar neto vetëm 16 mijë vende pune mes viteve 2001 dhe 2010, me një mesatare prej më pak se 2 mijë vendesh pune në vit. Krahasuar kjo me numrin e pamatë të shqiptarëve që hyjnë për herë të parë në tregun e punës, vendet e reja nuk ngopin dot as një pjesë shumë të vogël të kërkesës për punë.

Sipas statistikave zyrtare, në Shqipëri ka 2.16 milionë njerëz në moshë pune, që nënkupton të gjithë njerëzit mes 15 dhe 64 vjeç. Një pjesë e konsiderueshme e kësaj popullate, pavarësisht se me metodologji klasifikohen si “forcë pune”, në fakt janë nxënës në shkollë të mesme apo në shkollë të lartë, një pjesë janë të punësuar në të zezë dhe nuk hyjnë në statistikat zyrtare dhe një pjesë tjetër, sakaq gjendet në emigrim pavarësisht se rezulton si forcë pune në Shqipëri.

Në total, nga 2.16 milionë njerëz në moshë pune, 1.06 milionë konsiderohen forcë aktive pune dhe pjesa tjetër konsiderohen forcë inaktive. Nga forcat aktive të punës, 143 mijë konsiderohen të papunë në kërkim të punës, 507 mijë klasifikohen si të vetëpunësuar në bujqësi, por nuk janë realisht të punësuar, pasi shumica e tyre nuk ka aktivitet të mjaftueshëm bujqësor dhe vetëm 410 mijë vetë janë realisht të punësuar që marrin një pagë.

Statistikat e pasigurta

Pavarësisht se çfarë thonë statistikat zyrtare, askush nuk është në gjendje të tregojë me siguri se sa janë të punësuarit dhe sa janë të papunët sot në Shqipëri.

Të punësuarit në të zezë bëjnë që shifra e të punësuarve të raportuar të jetë më e ulët se sa realiteti, por në krahun tjetër, përkufizimi zyrtar i të papunëve punëkërkues është tërësisht i pakuptimtë në kushtet e Shqipërisë.

Në shtetet europiane, nga ku është marrë përkufizimi i të papunëve punëkërkues, ky është treguesi i njerëzve që kanë humbur punën dhe po marrin pagesë papunësie, ndërsa kërkojnë një punë tjetër.

Në Shqipëri nuk ka pagesa papunësie dhe ata që raportohen, regjistrohen për efekt të përfitimit të ndihmës ekonomike. Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e të papunëve inaktivë apo të atyre që raportohen të vetëpunësuar në bujqësi, realisht jetojnë sakaq jashtë vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA