Gjirokastër, mungojnë kanalizimet

05/12/2011 00:00

Rrjeti kompleks i kanalizimeve në fushën e Dropullit, gjendet sot pothuajse i shkatërruar prej mosinvestimit dhe braktisjes.

Kjo tokë që dikur mbillej me dhjetëra kultura dhe furnizonte me prodhim të gjithë jugun e vendit sot prodhon vetëm bimë foragjere e ushqim për blektorinë. Toka në këtë zonë ose jepet me qera si kullotë ose është braktisur plotësisht. Specialistët e bujqësisë thonë se rrjeti i kanalizimeve për ujitje dhe kullim është shkatërruar prej vitesh dhe nuk mund t’i shërbejë prodhimit.

Në Dropull shumica e banorëve kanë emigruar në Greqi dhe të rikthyerit e viteve të fundit tentojnë të celin biznese që nuk kanë lidhje me bujqësinë.

Investimi për një fermë bujqësore sipas banorëve është shumë i kushtueshëm pasi gjithshka duhet të nisë me riparimin e kanalizimeve, investim që nuk mund ta bëjë secili më vete. Nga ana tjetër fermerët thonë se nuk kanë pasur asnjë garanci për tregun e produkteve.

Gjatë 20 viteve të fundit janë përfituar disa herë fonde prej programeve europiane ndërkufitare për të bërë studimin dhe sistemimin e rrjetit vaditës dhe kullues të Fushës së Dropullit, investime të cilat nuk u bënë asnjëherë transparente për publikun. Sot cdokush mund të shohë vetëm fushën e madhe djerrë të Dropullit dhe harresën që e mbulon prej vitesh.

Top Channel