I jepet lamtumira e fundit Sabri Godos

04/12/2011 00:00

Qeveria kishte shpallur zi të dielën nga ora 12.30 deri në orën 14.30. Gjatë këtij intervali, arkivoli me trupin e pajetë të të ndjerit Sabri Godo ndodhej në hollin e Parlamentit, ku qytetarë dhe politikanë bënë homazhe.

Pasi vendosi një kurorë me lule, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shprehu ngushëllimet bashkëshortes, të bijave dhe familjarëve të të ndjerit, si edhe drejtuesve të Partisë Republikane.

Presidenti la një shënim në Librin e Zisë të hapur me këtë rast. Të njëjtën gjë bëri edhe Kryetarja e Kuvendit, që e vlerësoi zotin Godo jo vetëm si politikan e deputet, por edhe si një intelektual aktiv.

Kryeministri Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja Liri Berisha, vendosi edhe ai një kurorë me lule dhe u përul me nderim përpara trupit të pajetë të Sabri Godos.

Në ceremoninë e lamtumires morën pjesë perfaqesuesit me te larte te politikes nga Shqiperia, Maqedonia dhe Kosova.

Pas homazheve kortezhi u nis drejt varrezave të Tufinës, në lindje të qytetit.

Zoti Godo lindi në Delvinë më 8 gusht 1929 dhe mori pjesë në luftën antifashtiste në moshë të re. Zoti Godo u nda nga jeta të shtunën, në moshen 82 vjecare. Politikan, shkrimtar, skenarist, Sabri Godo, që prej dorëheqjes nga kryetar i Partisë republikane, të cilën e themeloi në vitin 1991, mbante postin honorifik të presidenti te nderit të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie.

Përvec angazhimit të tij politik, zoti Godo do të kujtohet edhe për shkrimet dhe romanet e tij, ku spikasin romanet epikë, Ali Pashë Tepelena dhe Skënderbeu. Po ashtu, kushtetuta aktuale e Republikës së Shqipërisë mban firmën e zotit Godo, si bashkëkryetar i komisionit që e hartoi.

Top Channel