Janë shtuar zërat për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës. Pas deklaratave të kancelares gjermane Angela Merkel, se Serbia nuk i plotëson kushtet, analistët thonë se barrikadat ka mundësi të hiqen urgjentisht.

Ish-ambasadori serb në Gjermani, Ognjen Pribicevic, ka thënë se ky është qëndrim edhe i Francës, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, është një presion i shtuar.

Ndërkaq ka edhe vlerësime se shpresat për Serbinë ekzistojnë nëse arrihet një konsensus i brendshëm.

Vuk Drashovic, lider i Lëvizjes së Ripërtëritjes Serbe, ka thënë se presidenti Boris Tadic duhet të pranojë ato që janë duke u kërkuar për të marrë statusin e kandidatit për në Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se nuk kërkon që Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, por të pranojë faktin se 22 shtete evropiane e kanë bërë këtë gjë.

Ndërsa këtyre zërave u është bashkuar edhe Dragan Markovic Pallma, një politikan popullor nga qyteti i Jagodinës që ka ndikim si pjesë e koalicionit qeverisës.

Ai ka thënë se heqja e barrikadave duhet të bëhet menjëherë, ndonëse sipas tij barrikadat kanë qenë reagim ndaj provokimeve të shqiptarëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA