Policia italiane shkatërroi në një aksident makinën e saj më të kushtueshme të patrullimit, një Lamborgini me vlerë 300 mijë euro.
Aksidenti ndodhi pranë qytetit verior të Kremonës, ku për disa ditë mjeti qëndroi i ekspozuar në një panair. Sipas dëshmitarëve pamorë, mjeti devijoi për të shmangur aksidentin me një makinë që kaloi me dritë të kuqe në një semafor dhe u përplas me dy makina të parkuara.
Dëmi i pësuar nga Lamborgini i policisë është përtej mundësive të riparimit. Njëri prej dy policëve të ndodhur në mjet po kurohet për brinjë të thyera, ndërsa një tjetër pësoi vetëm hematoma.
Makina ishte dhuratë e vitit 2004 e markës që prodhon makinat luksoze. E pajisur me një motor prej 500 kuajsh fuqi, Lamborgini në fjalë mund të kapë 100 kilometra nga zero për vetëm katër sekonda.
Top Channel