Një familje e hidhëruar nga vdekja e djalit ushtar në Afganistan gjeti pak ngushëllim tek një qen.
Ngjarja e raportuar në faqet e një të përditshme britanike i referohet historisë së një familjeje, e cila i kërkoi shërbimeve ushtarake që të gjenin dhe t’i nisin qenin që i kishte bërë shoqëri djalit të tyre për disa muaj, deri kur u vra nga zjarri i një snajperi taleban, në krahinën e Helmandit.
Conrad Lewis, 21-vjeçar, kishte nisur në shtëpi disa fotografi me mikun e tij të ri, duke siguruar familjarët që kalonte kohën mirë dhe se gjatë pushimeve luante me qenin që i ishte lejuar ta mbante në kazermë.
Pasi mbeti viktimë e një shkëmbimi zjarri në datën 9 shkurt, familjarët e të ndjerit morrën mbrapsht trupin e të birit të pajetë, i varrosur me nderime ushtarake dhe një flamur britanik. Megjithatë, ata i kërkuan diçka tjetër shërbimeve ushtarake, t’i dërgonin qenin.
I gjetur në të njëjtën kazermë ku kishte jetuar për disa muaj Lewis, kafsha kreu udhëtimin e rrezikshëm nga Kabuli në Britaninë e Madhe duke përdorur makina të blinduara, helikoptera ushtarakë dhe një avion transportues. i gjithë udhëtimi kushtoi 4 mijë paund, por familja e ushtarit shprehet se kjo është dhurata më e bukur që mund t’i bënin.
”Në shtëpi, kemi një fotografi të madhe të birt tonë dhe me të hyrë në banesë, gjëja e parë që bëri ishte t’i shkonte pranë dhe ta lëpinte. Ky qen i qëndroi pranë djalit gjatë momenteve të vështira që kaloi në Afganistan dhe më e pakta që mund të bënim është të kujdesesshim për të. Nëpërmjet tij, kujtimi i Conrad është më i gjallë se kurrë. Pritëm gjashtë muaj që ai të mbërrinte këtu dhe falenderojmë shumë të gjithë ata që na bënë këtë dhuratë të çmuar”, deklaroi babai 49-vjeçar i ushtarit.
Në familjen Leëis, qeni i pagëzuar me emrin Peg, i bashkohet bulldogut 9-vjeçar Fergi, i quajtur sipas trajnerit të Manchester United, Sir Alex Ferguson, skuadër për të cilën në banesën e familjes janë të çmendur.
Top Channel