Miliarderi kinez, i revoltuar nga Islanda

28/11/2011 16:35

Një miliarder kinez sulmoi ashpër vendimin e qeverisë islandeze për të bllokuar blerjen nga ana e tij e një krahine të shtetit, me qëllim zhvillimin e saj për qëllime turistike.

Huang Nubo ofroi një miliardë krona, rreth tetë milion euro, për të blerë një truall prej 300 kilometrash katrorë, në krahinën e Fjollumit. Vlera e investimit do të ngrihej në disa qindra milionë euro, pasi ishte parashikuar ndërtimi i një parasje turistike, që do të përfshinte fusha golfi dhe një zinxhir hotelesh luksozë.

Megjithatë, Rejkjaviku zyrtar hodhi poshtë ofertën me argumentin se binte ndesh me ligjin për tokën. Nëse do të shitej, Huang Nubo do të bëhej pronar i 0,3% të territorit të Islandës.

”Refuzimi i dërgon një mesazh investitorëve kinezë se ndërsa jeni të mirëpritur të emigroni dhe të shpenzoni kapitalet tuaja në perëndim, nuk mund të keni të drejta të barabarta përballë ligjit”, deklaroi Nubo për një të përditshme kineze.

Disa zyrtarë islandëzë e mbështetën ofertën e tij, duke thënë se do të krijonte vende pune dhe do të ishte në të mirë të interesave ekonomike të shtetit. Megjithatë, politikanë të tjerë ngritën shqetësimin se miratimi i planit do t’i jepte Kinës një akses strategjik në një rajon, ku ndryshimet klimaterike pritet të krijojnë rrugë të reja detare, në të njëjtën kohë që do të bëjnë të arritshme depozitat e gazit dhe naftës në artik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA