Presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, urdhëroi trupat e gardës kombëtare që të zhvendosen në patrulla në rrugët e vendit, për të luftuar kriminin e përhapur gjerësisht.
Vendimi është i paprecedent dhe bie ndesh me kushtetutën, e cila thekson se ushtria nuk mund të përdoret për operacione brenda vendit, me përjashtim të rasteve të emergjencave kombëtare, rebelimeve apo kërcënimit për rrëzimin e regjimit.
Forcat e gardës do të operojnë fillimisht në kryeqytetin Karakas dhe në dy krahinat më të mëdha, Vargas dhe Miranda.
Rritja drastike e numrit të vrasjeve, rrëmbimeve dhe grabitjeve të armatosura e kanë shndërruar Venezuelën në një prej vendeve më të rrezikshme të Amerikës së Jugut. Çështja e luftës ndaj krimit pritet të jetë në qendër të fushatës së ardhshme presidenciale.
Presidenti Chavez ka premtuar se do të paraqitet për rikandidim, edhe pse ekzistojnë dyshime të forta nëse ai do të jetë ende në jetë në zgjedhjet e 2012-s. Chavez, i cili aktualisht vuan nga një tumor, e ka deklaruar veten të shëruar, por mjekë pranë tij raportojnë krejtësisht të kundërtën.
Top Channel