Kroacia kujtoi të premten tragjedinë e Vukovarit, qytet në kufi me Serbinë, që fiks 20 vjet më parë ra në duart e forcave ushtarake të Beogradit.
Rënia e qytezës në duart e trupave serbe erdhi pas një rrethimi që zgjati tre muaj dhe që shkaktoi mbi 1.600 të vdekur.
Rreth 40 mijë persona nga e gjithë Kroacia morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të mbajtur sot në nder të viktimave.
Beteja për Vukovarin nisi më 25 gusht të vitit 1999. Gjatë rrethimit 1.624 persona mbetën të vrarë dhe 2.500 të tjerë të plagosur. Ndërsa rreth 22 mijë persona të tjerë, të gjithë kroatë, u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre nga trupat ushtarake serbe.
Tragjedia e Vukovarit dhe masakra të tjera kanë bërë që qeveria kroate të padisë Serbinë në Hagë për genocid, akuzë që Zagrebi zyrtar duket se nuk ka ndërmend ta tërheqë.
“Qeveria e Kroacisë nuk ka ndërmend ta tërheqë akuzën për genocid të ngritur kundër Serbisë pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, deklaroi në fillim të muajit kryeministrja Jadranka Kosor.
Nga ana tjetër, edhe serbët kanë dorëzuar një dosje me akuzë të njëjtë kundër Kroacisë. Por gjithashtu, Beogradi ka kërkuar disa herë një marrëveshje me Zagrebin për tërheqjen e përbashkët të këtyre aktpadive. Por, kjo kërkesë nuk ka marrë një përgjigje pozitive.
Top Channel