Leart Kola – Kriza greke në Shqipëri ka pasur përgjithësisht dy qasje në analiza.

Njëra ka qenë ajo nacionaliste idiote, e tipit “shumë mirë t’i bëhet grekut, le të vdesë për bukë” e tjetra kozmopolite e po aq mendjemadhe, një analizë e jashtme e borxhit të brendshëm të Greqisë, analizë gjakftohtë a thua se bëhet fjalë për një krizë në Sri Lanka e jo në mes të Europës, e ngjitur me Shqipërinë.

Kriza greke, ndryshe nga çfarë duam të besojmë, e ka prekur Shqipërinë, dhe e ka prekur mirë madje. Këtë e thotë gjithë ditën Banka e Shqipërisë, duke reflektuar mbi remitancat e pakta të emigrantëve. Por, mbi të gjitha, kjo ndihet në qytete kufitare si Korça e Gjirokastra, ku të ardhurat e emigrantëve ishin buka e përditshme e ekonomisë lokale. Shumica e bizneseve që ishin ndërtuar si pasojë e kësaj qasje ekonomike lokale, kanë të bëjnë me materialet e ndërtimit dhe arredimit të shtëpive. Duke qenë se tradita e emigracionit shqiptar, ishte ndërtimi, apo rindërtimi i banesave. Me dhjetëra dyqane mobiliesh, elektroshtëpiakesh, e shërbimesh të tjera të kësaj natyre po falimentojnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme, sidomos në zonat kufitare, ku edhe emigracioni i shqiptarëve në Greqi ishte më i përqendruar.

Kjo fazë do të shoqërohet me një fazë tjetër, që do jetë kthimi masiv i emigrantëve në qytetet e origjinës. Po të shkëputemi nga folku i “gjasme patriotizmit” e këngëve me “kurbetin e zi, që më mirë është me ndejt në shtëpi”, është e lehtë të imagjinohet, që ky nuk është një lajm i mirë, sidomos në kushtet kur qeveria shqiptare ka përqafuar sistemin më fundamentalist neoliberal të parë në ndonjë vend tjetër. Mosprezenca e shtetit e lënia dorë të lirë tregut, do të sillte në këto zona një kosto edhe më të lartë sociale. Si papunësi, rritje kriminaliteti e forma të ngjashme të kanalizmit të depresionit. Mungesa e një alternative B, për ata që nuk gjejnë punë në vendin e tyre, vajtja në emigrim, tashmë është plotësisht e fshirë. Në këto kushte katastrofa është praktikisht në dyert e Shqipërisë.

Shteti shqiptar, jo vetëm që nuk e merr në analizë një mundësi zgjidhjeje, por përkundrazi e fut veten në një flluskë imagjinare prosperiteti, e ulëret me zërin e Kryeministrit idiotësira të tipit jemi vendi i dytë për zhvillim pas Gjermanisë. Me këtë sjellje tashmë të parë e të provuar në 97, kostot e 97 janë të pashmangshme.

E vetmja mënyrë për të shmangur katastrofën është e kundërta e asaj që qeveria e djathtë në pushtet po bën. Së pari, sikur të kishim një shtet, duhej ngritur menjëherë një grup krize i koordinuar mes Ministrisë së Ekonomisë, Financave, asaj të Punës dhe të Brendshme. Për të kuptuar se sa është sasia e shqiptarëve që po kthehen, e cili është ritmi i kthimit të tyre. Gjithashtu njohja dhe me profesionet dhe me kapacitetet financiare me të cilat kthehen në Shqipëri.

Pas kësaj faze, sikur ne të kishim një shtet të vërtetë, do të na duhej të rikthenim një qasje proteksioniste të shtetit, sidomos për sektorët ku pritet që paratë e emigrantëve të kthyer do të investohen. Edhe me sy të lirë, pa asnjë studim, është e kuptueshme që shumica e shqiptarëve në Greqi punojnë në ndërtim, agro-biznes ose industri tekstile. Në shumicën e rasteve është e pritshme që ky grup, me paratë e kursyera, të tentojë të rikrijojë në Shqipëri të njëjtin biznes, duke pasur parasysh që do të duan të vënë në jetë njohuritë e fituara në emigracion.

Sikur ne të kishim shtet, menjëherë do të nisnin politikat e kreditimit dhe ndërtimi i një banke bujqësore (premtim i Berishës në 2005-n) për të jetësuar këtë kapacitet monetar e punëtor që do të angazhohej në ekonominë shqiptare. Kjo do të sillte që në rastin më të keq, papunësia të mbetej e njëjtë e nuk do të shtohej me gjak të ri emigrantësh fatkëqij.

Analiza e aftësive të “të ardhurve të rinj”, është shumë e rëndësishme për të rivitalizuar ekonominë e për të ulur papunësinë në vend. Së pari, sepse papunësia në Shqipëri është më tragjike se papunësia në vende të tjera europiane. Në Shqipëri, të papunët janë në kushte mesjetare, kanë vetëm trupin fizik, por nuk dinë të përdorin asnjë makineri, e nuk zotërojnë asnjë zanat që do të mund t’i krijonte një lloj perspektive. Ata janë sot pas më shumë se 20 vjetësh, në të njëjtat kushte që ishin emigrantët e parë që shkuan në Perëndim. Sot emigrantët e kthyer, vërtet, mund të jenë pa punë, por ama zotërojnë një aftësi, që mund të transformohej në një motor për ndërtimin e mikro-bizneseve familjare, që sot janë i vetmi ilaç kundër krizës në Itali e Spanjë, e që do të mund të riintegronin në tregun e punës e t’u jepnin aftësi dhe atyre të papunëve që nuk kanë asnjë aftësi, e që krijojnë sasinë e të papunëve kronikë në shoqërinë shqiptare.

Sigurisht që të ketë sukses një nismë e tillë, do të duhej që qeveria të zhvendosej nga terreni i rrezikshëm neoliberal për të përqafuar masa më proteksioniste për produktin vendor. Në mënyrë që të garantonte tregun për këto produkte, e që më pas këto para të riqarkulloheshin në hapësirën publike e për interes publik.

Sikur të kishim një shtet të shqiptarëve e jo një agjenci private familjare, do të mund të nxirrnim përfitime nga kriza fqinje për të ndërtuar një ekonomi vendore, që do të mund më pas të bëhej një shtyllë e rëndësishme për integrimin e vendit në BE. Mbrojtja e rivitalizimi i ekonomisë vendore, është shembulli i vetëm që shqiptarët mund të nxjerrin nga kriza e koalicionit ku duan të bëhen pjesë, por në vend që të ketë një reflektim më të madh për çështje të tilla, ne merremi me debate të pavlera mbi sintaksën e gjuhës.

Shteti shqiptar, e ka më për zemër, integrimin e plehrave italiane në vend, se sa të qytetarëve të tij, ky është paradoksi i neo-liberalizmit që sot prodhon pambarimisht paradokse të kësaj natyre, e që e kanë transformuar shqiptarin në një skizofren të përjetshëm.

Sikur të kishim një shtet, e një qeveri të shqiptarëve e për shqiptarët, do kishte qenë më e lehtë të debatonim për të ardhmen e për zhvillimin politiko-ekonomik. Por ne ndërkohë e dimë që nesër do të jetë një ditë e re, ku Kryeministri do të mundohet të përfitojë me Mediun ndonjë para nga biznesi i plehrave. Naço do presë ta urdhërojë Meta për ndonjë tender të paligjshëm. Halimi do të fillojë që tani të bëjë listat e të burgosurve gati për zgjedhjet e 2013-s. Myqeremi do të marrë ndonjë para nga ndonjë pronar universiteti privat që të kalojë ligjin fashist të arsimit të lartë. Ben Imami do të shesë skrap. Haxhinasto do të zgjohet në një ditë të re për të thënë idiotësira të vjetra. E Shqipëria do të përjetojë përsëri, deri në neveritje, krizë pas krize, varfëri e papunësi. Sikur të kishim shtet, do të kish qenë më e lehtë, po ja që kemi një bandë, e sa kohë të jetë ajo në pushtet, do të na duhet të bëjmë biseda e të sillemi si të marrë peng.

Gazeta “Shqip”

Top Channel