Shira një herë në 300 vite/ “Zhduket” nën ujë Tajlanda, përmbytje shkatërruese në gjithë Azinë Juglindore (Video)
Ka dhënë dorëheqjen kryeministri italian Silvio Berlusconi, pas një bisede të shkurtër të zhvilluar në presidencë me presidentin Giorgio Napolitano.
Në momentin e mbërritjes në Quirinale, Berlusconi u prit me vërshëllima nga shumë qytetarë të mbledhur, të cilët festonin për largimin e tij.
“Palaco”, “Jashtë mafia nga shteti”, bërtisnin të pranishmit, të cilët u përpoqën t’i afroheshin makinave të autokolonës.
Të tjerë vrapuan në drejtim të derës së presidencës, por u bllokuan nga agjentët e sigurisë, të cilët i kthyhen mbrapsht.
Ndërkohë, në zona të tjera të kryeqytetit italian ka tubime, si dhe koncerte të vogla për të shprehur gëzimin për dorëheqjen e kavalierit.
Dorëheqja e kryeministrit Berlusconi vjen pasi dhoma e ulët e Parlamentit italian miratoi pak orë më parë paketën e masave anti-krizë, të kërkuar nga BE dhe e projektuar për të ringjallur besimin e tregjeve tek ekonomia e Italisë.
Dorëheqja e Berlusconi-t i hap rrugën krijimit të një qeverie të përkohshme, që sipas të gjitha gjasave do të kryesohet nga ish-komisioneri i KE-së, Mario Monti.
Paketa e masave përfshin ngritje të taksave, ngritje të moshës së pensionit, të cmimit të karburanteve dhe të cmimit të aseteve të shtetit.
Anëtarët e dhomës së ulët votuan 380 pro kundrejt 26 jo, plus dy abstenime, pasi Senati aprovoi masat e paraqitura ditën e premte.
Tani, presidenti Napolitano mund t’i kërkojë zyrtarisht zotit Monti apo ndonjë kandidati tjetër që të formojë qeverinë e përkohshme.
“Ne e falenderojmë zotin Berlusconi për atë që ka bërë gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaroi pas miratimit të paketës Fabrizio Cicchitto, deputet i partisë Populli i Lirisë. Ndërsa deputeti i opozitës Dario Franceschini mirëpriti dorëheqjen e kavalierit.
Situata e rëndë ekonomike në Itali bëri që disa ditë më parë e përjavshmja prestigjoze britanike “The Economist” të thumbonte Berlusconin.
Top Channel