Shefi i “News International”, James Murdoch ka hedhur poshtë deklaratat se kompania e tij ka vepruar si një organizatë mafioze lidhur me skandalin e përgjimeve.
Reagimi i të birit të manjatit australian Rupert Murdoch erdhi pasi deputeti laburist Tom Watson deklaroi se kompania mediatike kishte imponuar kodin e heshtjes në degën e saj në Britani.
“Kjo është shumë fyese dhe nuk është aspak e vërtetë”, u përgjigj James, duke shtuar se në vitin 2008 nuk kishte qenë në dijeni se përgjimet kishin shkuar përtej limiteve.
Përplasja me zotin Watson, që ka shigjetuar vazhdimisht kompaninë lidhur me skandalin e përgjimeve, u bë gjatë një seance dëgjimore në Parlamentin britanik.
Zoti Murdoch i kishte thënë vazhdimisht komitetit se nuk kishte qenë në dijeni të detajeve që tregonin se përgjimet telefonike ishin përdorur edhe nga gazetarë të tjerë, përvec reporterit Clive Goodman, që u burgos në vitin 2007.
Zoti Watson e pyeti nëse ai kishte dijeni për kodin “omerta” që sipas tij karakterizon grupin e kompanisë mediatike në Britani, të cilin e akuzon se ka kryer përgjime në kundërshtim me ligjin.
“Absolutisht jo. Mendoj se kjo është fyese dhe aspak e vërtetë”, u përgjigj i riu Murdoch.
Por laburisti ia ktheu: “Ti duhet të jesh bosi i parë i mafias në histori që nuk e dinte se po drejtonte një ndërmarrje kriminale”.
Top Channel