Siri, rifillojnë sulme me tanke në Homs

04/11/2011 10:05

Forcat ushtarake siriane kanë rifilluar sulmin mbi protestuesit në qytetin e Homsit, informuan aktivistët mëngjesin e së premtes.

Sipas raportimeve, tanket vazhdojnë të bombardojnë me predha pjesë të ndryshme të qytetit. Ditën e enjte, 26 persona u vranë në këto sulme.

Shpërthimi i dhunës vjen në javën e arritjes së një marrëveshje midis Damaskut zyrtar dhe Ligës Arabe, plan që duhet të sillte paqen në vend dhe të largonte forcat e ushtrisë nga qytetet.

Sipas dëshmitarëve pamorë, një prej lagjeve të Homsit është dëmtuar veçanërisht rëndë, me shenja të dukshme të goditjeve me predha nëpër pallatet shumëkatëshe dhe me disa banesa të shembura.

Plani i arritur të mërkurën bën lëshime të mëdha për opozitën, madje përfshinte klauzola për më shumë liri të medias dhe për lirimin e disa prej të burgosurve politikë. Megjithatë, sipas grupimeve opozitare, një veprim i tillë është vetëm një taktikë e qeverisë për të fituar kohë.

Që prej fillimit të revoltave në mars, më shumë se tre mijë persona kanë mbetur të vrarë në përleshjet me forcat e policisë, në të njëjtën kohë që me qindra konsiderohen të zhdukur.

Qeveria e presidentit Assad, njeriu që trashëgoi pushtetin nga babai i tij në vitin 2000, thotë se përleshjet janë vepër e “bandave të armatosura” dhe “terroristëve”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA