Dorian Koci – Politika shqiptare është një “sallatë frutash”, më tha një i njohuri im.
I mësuar me epitete të tjera për politikën tonë, e luta të ma
shpjegonte më tej mendimin e vet.

Po ja, ma ktheu ai, një sallatë frutash do të paktën tre fruta të ndryshëm që të quhet e tillë. Ne kemi më shumë se tre forca politike që kontribuojnë në vend, por ashtu si sallata e frutave, që të jetë sa më e shijshme, kërkon më shumë përbërës dhe politika jonë nuk duhet të mbizotërohet vetëm nga dominanca e një a dy partive. Për më tepër, vazhdoi ai, nuk është  fjala se ndonjëri nga ata nuk e do prosperitetin dhe përparimin e kombit dhe atdheut të vet si mund të dëgjohet rëndom gjithandej, por dëshira për të mbizotëruar i jep ndonjëherë shije bajate politikës që  ushtrojnë. Nuk e di se pse më pëlqeu dhe mua shpjegimi i mikut tim, pasi duke dhënë gjithmonë shpjegime dhe përcaktime nihiliste, dashur pa dashur të gjithë kemi kontribuar në krijimin e një klime negativizmi për politikën shqiptare dhe vendin tonë.

Askush nuk mund ta mohojë se politika shqiptare, përpos ngjarjeve të hidhura që na ka ofruar në konfliktualitet të vazhdueshëm, na ka dhuruar dhe momente të gëzuara ku jemi ndjerë mirë. Momenti në të cilin ndodhet vendi, në prag të integrimit europian, e bën politikën tonë delikate në marrëdhëniet ndaj vetes, por dhe komunitetit ndërkombëtar, ndaj dhe qëndrimet që ajo mundohet të mbajë për të ruajtur ekuilibrin e saj të brendshëm, interpretohen si shanse të humbura apo shanse të fituara. Në fund të fundit, është çështje perceptimi se si e shikon një gotë që është gjysmë e mbushur me ujë; si gotë gjysmë e mbushur apo si gotë gjysmë e zbrazët. Një çështje që irriton qytetarët shqiptarë dhe që shpeshherë na bën që ta shikojmë gotën si gjysmë të zbrazët është niveli i lartë i korrupsionit në shoqërinë tonë. Duam apo s’duam ne, atë e kemi bërë tashmë një vlerë të sistemit tonë, diku për të mbaruar punë shpejt, diku për të zgjidhur ndonjë hall e diku tjetër për të bërë një karrierë të shpejtë. Në këtë sëmundje që na ka kapluar të gjithëve ka bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës, por si gjithmonë përgjegjësia kryesore i mbetet politikës. Kjo është arsyeja që dhe zgjidhjet priten që të vijnë prej saj.

Një iniciativë e mirë që duhet përshëndetur në këtë drejtim si masë efikase për mbylljen e rubinetit të korrupsionit është propozimi për kufizimin e mandateve të gjyqtarëve, politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit. Në këtë rast, politika shqiptare si më e përfolura në këtë drejtim, jep një shembull personal duke garantuar barazi të vërtetë ligjore për gjithë shtetasit e Republikës së Shqipërisë. Për hir të së vërtetës, ky ka qenë një propozim i hershëm i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, një propozim që priti pothuajse dy vjet që të merrte një përgjigje pozitive nga Partia Socialiste. Ai u anatemua në fillim si përpjekje e qeverisë për kapital politik, por pavarësisht insinuatave të atëhershme politike, ka ardhur koha që ai të merret seriozisht nga të dyja palët. Çështja është, a ka vullnet politik për të bërë më të mirën e mundshme në këtë drejtim dhe të mos fshihemi pas lodra fjalësh për kushtetutshmëri dhe mekanizma të tjerë mbrojtës. A duhet shoqëruar ky hap dhe me një reformë paralele në drejtësi, në mënyrë të tillë që të mos ketë abuzime ndaj grupeve apo personave të veçantë politikë? Këto janë çështje që kërkojnë një diskutim të gjerë në nivel ekspertësh, ndaj ulja në një tryezë të rrumbullakët jo vetëm që nuk është humbje kohe, por është dhe përshpejtim i çtensionimit të jetës politike në vend dhe përshpejtim i procesit të integrimit. Ky është një hap që e kanë ndërmarrë të gjitha vendet e ish-Europës Lindore përpara se të hynin në Bashkimin Europian dhe Shqipëria s’ka pse të bëjë përjashtim nga ato. “Askush nuk duhet të ketë imunitet që korrupsioni të mbetet i pandëshkuar. SHBA ndihmon në luftën kundër korrupsionit, por nuk duhen lejuar privilegjet e imunitetit. Lufta kundër korrupsionit në Shqipëri duhet të vazhdojë”. Këto ishin fjalët e ambasadorit amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, gjatë ceremonisë së mbylljes së programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MÇ) në Shqipëri, fjalë të cilat duhet të shërbejnë për të shkundur të gjithë ata që mund të mendojnë se miqtë tanë ndërkombëtarë do të na lënë akoma të notojmë në moçalin e korrupsionit. Në bashkëbisedimet mes palëve, përpos gatishmërisë që palët po demonstrojnë për reformën elektorale, duhet të vënë si prioritet kryesor dhe atë çka në parim u duk se e mbështetën parimisht në konferencën e organizuar për këtë qëllim. Ky vullnet dhe hapat konkretë të ndërmarrë do të jenë guri i provës për të parë nëse po ndryshon diçka në këtë drejtim. “Imuniteti duhet të kuptohet në mënyrën e duhur, pasi nuk i jep një pozicion të caktuar, i cili i vendos gjyqtarët apo zyrtarët e caktuar mbi ligjin. Por imuniteti apo imunitetet do të thotë që zyrtarët apo gjyqtarët mbajnë edhe lirinë e tyre për të funksionuar në mënyrë të pavarur. Ndërkohë që duhet të ruajnë edhe përgjegjësinë e madhe që kanë për të dhënë llogari”, -deklaroi ambasadori Etore Sequi i Bashkimit Europian, në po të njëjtën konferencë, duke dhënë qartë dhe propozime konkrete mbi bazën e së cilave mund të fillojë të ndërtohet kufizimi i mandateve.

Gjithmonë kur kemi qenë të mërzitur me politikën tonë kemi përmendur shprehjen se, kjo është “çorba që politika jonë na gatuan”. Mirëpo, pas një zhvillimi të tillë shpresëdhënës ku të dyja palët po binden që ta marrin seriozisht kufizimin e imuniteteve, që në një farë mënyre do të fillojë të ketë impakt për të pasur edhe më shumë drejtësi në vendin tonë, na lind e drejta që politikën tonë ta shohim si “sallatë frutash”, ku mjalti si një përbërës kryesor i saj, duhet të jetë vullneti i mirë i të dyja palëve. Le të shpresojmë se politika shqiptare kësaj radhe e ka seriozisht për të nxitur shpejtësinë e integrimit të vendit, por edhe për t’i hequr imazhin negativ të saj në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel