Gjatë orëve të mbrëmjes qarkulloi lajmi për dorëheqjen e Drejtorit te ALUIZNI-t, Shaban Memia. Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por as është mohuar.
Nuk jepen detaje mbi arsyet që mund të kenë cuar Meminë drejt dorëheqjes, ndërsa prej disa javësh pranë ALUIZNI-t, Njësia Antikorrupsion, pranë Kryeministrisë, me urdhër të vetë Kryeministrit Berisha, po ushtronte një kontroll për procesin e legalizimeve.
Ndërkaq, disa ditë më parë Memia shkarkoi për “Mungesë te integritetit personal”, kreun e Legalizimeve të Qarkut të Tiranës, Ferdinand Shehu. Ky i fundit u kthye në detyrë brenda 24 orëve me urdhër të Kryeministrit, me argumentin se, për sa kohë auditi është për kontroll pranë ALUIZNI-t, Drejtori Memia nuk mund të marrë asnjë vendim shkarkimi për vartësit e tij.
Prej kohësh në media po flitej se Shaban Memia, një mbështetës i hershëm i Kryeministrit Berisha, rrezikon detyrën për shkak të procesit të dështuar të legalizimeve.
Top Channel