Qeveria shqiptare miratoi një shumë prej rreth 200 mijë dollarësh nga fondi i saj rezervë për të përballuar shpenzimet për shtesën e angazhimit mes këshillit të ministrave dhe studios ligjore Paton Boggs.
Kjo është një nga firmat më të mëdha lobuese në Uashington, madje gazeta zyrtare e kongresit amerikan e klasifikon si numrin një ndër 100 firmat më të mëdha lobuese amerikane.
Patton Boggs ka bërë disa kontrata me qeverinë shqiptare, njëra prej të cilave është marrja e saj si konsulente ligjore për privatizimin e ARMO-s. Më pas, sipas njoftimeve zyrtare në 2010, Pattom Boggs u kontraktua sërish nga qeveria shqiptare me rreth 240 mijë dollarë, si konsulente për privatizimin e Albpetrolit, gjë që ende nuk është finalizuar.
Por nga njoftimi zyrtar në ëebsiten e Këshillit të Ministrave, nuk bëhet e qartë se cili është angazhimi shtesë i studios ligjore me shumë influence në Uashington dhe për të cilën firma lobuese ka kërkuar rreth 200 mijë dollarë, të cilat po i paguhen tani. Ka dy opsione për këtë. Ose firmës lobuese i është kërkuar dicka më shumë për privatizimin e Albpetrolit, gjë që duket pak e mundur, për shkak se shuma është thuajse e njëjtë me lidhjen e kontratës së parë, ose, dhe këtu vjen opsioni i dytë, që duket më afër të vërtetës, firmës Pattom Boggs i ështe kërkuar lobim i dyfishtë për dy cështje njëherësh.
Përvec konsulencës prej 244 mijë dollarë për Albpetrolin Qeveria Shqiptare po paguan tani 200 mijë dollarë të tjera, sepse në dhjetor të 2009-ës ajo ka kërkuar lobim në Uashington për t’u bërë pjesë e programit të plotë të korporatës. Sfida e mijëvjecarit, një projekt i Qeverisë Amerikane për të ndihmuar vendet në zhvillim.
Nga ky program mund të përfitojnë edhe vendet që kapërcejnë me sukses programin në prag të sfidës së mijëvjecarit, program të cilin qeveria po e finalizonte me sukses, sic thuhej pas cdo faze nga ambasadorët amerikanë në Tiranë, së fundmi, para pak ditësh edhe nga ambasadori Arvizu në ceremoninë e mbylljes së programit.
Por, për t’iu kthyer kërkesës për lobim të qeverisë shqiptare me Pattom Boggs. Top Channel, gjeti pas një kërkimi në internet dokumentat ku Pattom Boggs është rregjistruar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë si firmë lobuese dhe bashkëngjitur edhe një letër të ministrit Genc Pollo, ku palët angazhohen për bashkëpunim.
Në fund të 2009-ës, ministri Pollo kërkon shërbimet e firmës lobuese amerikane, pasi e informon atë, se për shkak të rezultateve të jashtëzakonshme nga programi i pragut, qeveria është informuar se Shqipëria është në nivel të përshtatshëm për të aplikuar për një marrëveshje të plotë me korporatën e sfidës së mijëvjecarit.
Për këtë arsye, zoti Pollo thotë në letrën e tij për drejtuesit e Pattom Bogss se qeveria kërkon asistencën e firmës për ta ndihmuar të sigurojë marrëveshjen e plotë me korporatën e sfidës së mijëvjecarit dhe për të garantuar se kushtet dhe përfitimet e marrëveshjes të jenë të strukturuara në dobinë maksimale të Shqipërisë.
Ky angazhim është firmosur për Qeverinë Shqiptare nga ministri Pollo dhe me firmën e njërit prej drejtuesve të saj, studio ligjore angazhohet të marrë përsipër këtë shërbim, që mesa duket ka kushtuar 200 mijë dollarë.
Në këtë kontratë nuk ka asgjë të paligjshme, por ka vetëm një pale të fituar, që është firma amerikane. Dhe kjo jo për faj të saj. Për shkak të konfliktit politik në vend, Shqipëria dështoi dhe vazhdon të dështojë për të miratuar me 84 vota në parlament projektligjin për ngritjen e gjykatave admnistrative, një nga pikat kyce të programit me korporaten. Duke humbur kështu edhe shansin për të përfituar nga marrëveshja e plotë me Qeverinë Amerikane, një marrvëshje që vlente disa qindra milionë dollarë.
Top Channel