Franca i bashkohet sulmit kenian në Somali

25/10/2011 15:15

Franca do t’i japë mbështetje logjistike forcave keniane, të përfshira në dyluftime me militantët e “Al-Shabab” në tokën somaleze, bënë të ditura të martën burime zyrtare.

Koloneli Thierry Burkhard deklaroi se avionët francezë të transportit do të dërgojnë në zonën e konfliktit municione për ushtrinë keniane.

Nga ana e tij, Presidenti i Somalisë, Sheikh Sharif Ahmed, e dënoi sulmin e vendit fqinj dhe e shpalli atë si një pushtim. Ai theksoi se diçka e tillë binte ndesh me ligjet ndërkombëtare dhe me parimet e sovranitetit.

Ditën e dielë, zëdhënësi i ushtrisë keniane, majori Emmanuel Chirchir lajmëroi se Franca i ishte bashkuar operacioneve, me bombardimin e qytetit të Kudës, në bregdetin somalez, nëpërmjet flotës së ndodhur në Oqeanin Indian.

Megjithatë, Parisi zyrtar i refuzon këto spekulime, duke thënë se nuk ka asnjë trupë ushtarake në zonën e përfolur.

Ndërkohë, mësohet se militantët e “Al-Shabab”, të cilët kontrollojnë të gjithë territorin e Somalisë jugore me përjashtim të kryeqytetit Mogadishu, kanë humbur zotërimin e qytetit të Ras Kambunit, një qendër e rëndësishme ekonomike dhe politike.

Top Channel