Që prej se enjtes kur KFOR-i filloi aksionin për largim të barrikadave në magjistralen e Adriatikut, apo në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, që çon në pikë-kalimin kufitar 31 në Bërnjak, kjo nuk ka ndodhur ende. Në fshatin Zupç, ndërsa pak metra më tutje mund të shihet njëra nga barrikadat, në këtë rrugë, që nuk është larguar ende, ndërsa pas saj janë edhe disa të tjera.
Serbët vazhdojnë të qëndrojnë në barrikada, të cilat i kanë vendosur që prej mesit të muajit shtator, ndërsa jo larg prej tyre, qëndrojnë ushtarët e NATO-s. Banorët serbë të Zupçit shpeshherë dalin në kodrën e fshatit që është afër rrugës për të vështruar ushtarët e KFOR-it që janë stacionuar aty, apo edhe kur mediat janë prezente.
Kryetarët ilegalë të komunave veriore, si Leposavic, Zveçan e Zubin Potok, dhe shefi i qarkut të Mitrovicës, vazhdojnë të kushtëzojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it, me garancitë që do të merrte kreu i shtetit serb nga këto misione se nuk do të transportojë doganierë dhe policë kufitar të shtetit të Kosovës për në portat kufitare veriore.
Por KFOR-i e ka bërë të qartë se nuk do të pranojë asnjë kusht kur bëhet fjalë për “lirinë e lëvizjes”. Njëri nga zëdhënësit e KFOR-it, Uve Novicki, citohet të ketë thënë gjatë së martës se “komandanti i KFOR-it u ka thënë shumë qartë kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, të shtunën e kaluar, se liria e lëvizjes duhet të arrihet pa asnjë kusht, për çdokënd, dhe në çdo kohë”.
Sipas tij “asgjë ndryshe nga kjo nuk është e pranueshme”. Megjithkëtë, KFOR-i ende nuk ka filluar ndonjë aksion në magjistralen tjetër, atë që nga Mitrovica nëpërmjet Zveçanit të dërgon në pikën kufitare 1 në Jarinjë të Leposavicit.
Dhjetëra bllokada janë të vendosura në këto dy magjistrale, ndërsa zyrtarët e KFOR-it, EULEX-it, doganierët dhe policët kufitarë të Kosovës vazhdojnë të shkojnë, çdo ditë në Jarinjë e Bërnjak, përmes ajrit. Nga ana tjeter KFOR sqaroi se pika në Bërnjak është funksionale dhe ndryshe nga c’u tha një natë me parë rruga për atje nuk është liruar.
Top Channel