Apelimi në Tatime, bashkë me kamatëvonesat

25/10/2011 08:00

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga miratimi i ligjit “Për proçedurat tatimore”, çështja e parapagesës së detyrimeve para se biznesi ta apelojë në Drejtorinë e Tatimeve, sërish has në keqkuptime e kontradikta, që kërkojnë interpretim juridik.

Për t’i dhënë një herë e mirë përgjigje rasteve që lidhen me procesin e ankimimit të vlerësimit tatimor për detyrimet e papaguara, Gjykata e Lartë (Kolegji i Bashkuar), ka marrë në muajin maj vendimin, i zbardhur dje në Fletoren Zyrtare, mbi rastin e ankesës të paraqitur nga një subjekt privat në fushën e karburanteve.

Gazeta “Shqip” shkruan se, çështja ka të bëjë me një vlerësim tatimor, të cilin subjekti e paguan dhe më pas e ankimon në drejtorinë e apelimeve në Tatime, por i refuzohet e drejta për shkak se nuk ka paguar edhe kamatëvonesat.

Çështja shkon në Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila e rrëzon padinë e subjektit, për të vijuar më pas në Gjykatën e Lartë.

Pas vlerësimeve të shumta ligjore, Gjykata vlerëson se pagesa e detyrimit para se subjekti të bëjë ankesën përfshin edhe kamatëvonesën.

Ky vendim unifikues, që vlen edhe për rastet e njëjta, erdhi pas kërkesës për interpretim nga Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, më 25 janar 2011 drejtuar Kolegjit të Bashkuar, lidhur me përgjigjet e pyetjeve:

A janë kamatëvonesat pjesë e detyrimit tatimor, në kuptim të pikës 1, të nenit 107 të ligjit “Për procedurat tatimore”?

Nëse kamatëvonesat janë pjesë e detyrimit tatimor, duhet të jenë të përcaktuara në njoftimin e vlerësimit të administratës tatimore, apo tatimpaguesi duhet t’i llogarisë vetë ato dhe t’i paguajë, pavarësisht nëse njoftim-vlerësimi tatimor i përmban si detyrim apo jo?

Top Channel