Gafa e Sukajt në fund bëri që Vllaznia dhe Tirana të ndajnë nga 1 pikë në “Loro Borici”. Supersfida e javës së gjashtë mes këtyre dy skuadrave përfundoi në barazim 2-2.
Tirana ishte më e rrezikshme në pjesën e parë, dy herë traversa dhe një herë portieri i Vllaznisë, Vujadinovic, nuk lejuan që bardheblutë të mbyllnin pjesën e parë në avantazh.
Në pjesën e dytë loja në fushë u barazpeshua, pasi të dyja skuadrat tentonin të shënonin, por ishin shkodranët ata që kaluan në avantazh.
Xhevahir Sukaj me një gjuatje ala Cristiano Ronaldo dërgoi topin në rrjetë. 10 minuta më vonë ishte Petrovic ai që shënoi një eurogol.
U mendua se loja u mbyll pas këtij goli, por Tirana e udhëhequr në fushë nga Klodian Duro dhe Gilman Lika bënë që bardheblutë të shënonin dy herë. Në fillim Morina dhe më pas Duro.
Sukaj kishte mundësinë më të mirë në fund për t’i dhuruar fitoren tifozëve shkodranë, por gjuatja e tij u prit nga Iljon Lika.
Kështu, pas këtij barazimi, Tirana ngjitet përkohësisht në vendin e parë me 10 pikë e ndjekur nga Kastrioti dhe Flamurtari me nga 9. Vlonjatët mundën 2-0 Pogradecin falë dopjetës së Vilfor Hysës në pjesën e dytë.
Top Channel