Protesta të sinkronizuara në 82 shtete

15/10/2011 21:05

Protestues në disa prej kryeqendrave më të rëndësishme të botës kanë
dalë në rrugë, për të demonstruar kundër shkurtimeve qeveritare dhe
marrëveshjeve të paligjshme midis koorporatave.

Organizuesit e fushatës “Pushtimi” informuan se protesta e tyre do të marrë jetë në 951 qytete, në 82 shtete të ndryshme nga Azia, Afrika, Europa, Amerika e Jugut dhe ajo e Veriut.

Disa qindra persona dolën në protestë në orët e para të mëngjesit të sotëm, me orën shqiptare, në qytetet australiane dhe në disa pjesë të Azisë Lindore.

Një përhapje e tilë përbën një zgjerim të mëtejshëm të protestave që nisën më parë gjatë javës në “Wall Street”, Nju Jork.

”Jemi të bashkuar në një zë, për t’i bërë politikanët dhe elitat financiare të cilave u shërbejnë, të kuptojnë se jemi ne, njerëzit e zakonshëm, ata që vendosin vetë për të ardhmen e tyre”, shkruhej në faqen e internetit të lëvizjes.

Pas pjesëmarrjes së disa mijëra personave në Melburn, Sidnei, Okland dhe Tokio, organizatorët presin të shohin një pjesëmarrje masive dhe në disa qendra kryesore të Europës, si Londër, Madrid, Romë dhe Athinë.

Itali, zjarr e përleshje në Romë

Protesta e të indinjuarve në Romë, e nisur në mënyrë paqësore, ka degraduar në akte të rënda dhune dhe përleshjeje me policinë.

Një grup protestuesish të veshur me të zeza kanë thyer vitrinat e dyqaneve dhe u kanë vënë zjarrin disa makinave në një nga qendrat kryesore të qytetit.

Gjithashtu, ata kanë hedhur shishe ndaj forcave të rendit, të cilat janë detyruar të reagojnë me gaz lotësjellës. Në këtë moment, tepistët janë larguar dhe janë fshehur prapa barrikadave në flakë.

Por përvec policisë, ndaj tyre kanë dalë edhe vetë të indinjuarit, të cilët u kanë bërtitur: “Largohuni që këtej! Nuk e duam dhunën tuaj!”.

Një grup protestuesish nga korteu i madh largoi në një kryqëzim protestuesit e veshur me të zeza dhe me kapuce në kokë, që i përdornin si maska.

Këta të fundit mbanin në duar edhe shishe prej xhami, shkopinj dhe cekicë, bëjnë të ditur agjencitë italiane të lajmeve.

Mes dy grupeve ka pasur shkëmbime fjalësh si dhe konfrontifme fizike. Një prej të indinjuarve, që po largonte njerëzit nga makinat në zjarr, është goditur me shishe në kokë.

Londër, Assange ngre në këmbë turmën

Në zemër të manifestimet të të indinjuarve në Londër është shfaqur papritur Julian Assange, themelues i Wikileaks.

Pjesëmarrësit në manifestim kanë brohoritur nga gëzimi dhe ai është ngjitur menjëherë në podiumin e katedrales St Paul për të mbajtur një fjalim.

“Kjo lëvizje nuk është për shkatërrimin e ligjit, por për ndërtimin e ligjit”, i është drejtuar turmës themeluesi i Wikileaks përmes një megafoni.

“Unë e pata të vështirë po aq sa dhe ju për të ardhur në këtë shesh dhe ka ende shumë persona që nuk kanë arritur të hyjnë. Shpresoj që dita të mbarojë me gjunjëzimin e taktikave shtypëse të policisë”, ka deklaruar Assange.

Cdo frazë e tij është përsëritur nga protestuesit e mbledhur në shesh dhe shefi i Wikileaks ka vazhduar fjalimin e tij.

“Sot kemi të bëjmë me një kombinim ëndrrash që do të realizohen, që shumë popuj në të gjithë botën, nga Kajro në Londër, kanë punuar që ato të bëhen realitet”, ka thënë Assange.

“Ajo të cilës i jemi nënshtruar është shkatërrimi i shtetit të së drejtës. Kjo lëvizje nuk është për shkatërrimin e ligjit, por për ndërtimin e tij”, ka shtuar themeluesi i Wikileaks, i rrethuar nga truprojet e tij.

Tiranë, rinia e indinjuar

“Rinia në indinjatë” ka protestuar në Tiranë nën moton “Demokraci reale tani”. Të rinjtë janë grumbulluar në rrugën pedonale “Murat Toptani” në kryeqytet.

Ata kanë kërkuar vërshimin e njerëzve në rrugë, ashtu si në shumë vende të botës. “Është koha që të bashkohemi, është koha që ata të na dëgjojnë, njerëz të kësaj bote vërshoni”, ishte apeli i të rinjve.

Në orët e pasdites ata e vijuan tubimin me një rock-protestë para Galerisë Kombëtare të Arteve.

FOTO GALERI
4/4
Londër, Assange flet para të indinjuarve

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA