Antonio Cassano, pas dygolëshit ndaj Irlandës së Veriut, është shprehur në një intervistë për Rai se karriera e tij është drejt fundit.
“Do të luaj edhe 3 sezone të tjera dhe do e lë futbollin. Dua të zhvilloj një kampionat europian dhe botëror të mirë me Italinë dhe me kaq e mbyll sepse jam i lodhur”, deklaroi Cassano.
Më pas, sulmuesi i Milanit ka shpjeguar se çfarë e ka lodhur: “Kam 13 vjet që luaj futboll profesionist dhe gjithçka që bëj shkakton polemika dhe gjithmonë dilet në përfundim se faji është i imi. Gjithsesi në moshën 33-vjeçare nuk do të luaj më, por do t’i përkushtohem familjes.”
Përsa i përket të ardhmes pasi të varë këpucët në gozhdë, Cassano tha: “Nuk e shoh veten në botën e futbollit sepse unë di vetëm të luaj në fushë, nuk di të bëj gjë tjetër. As të flas nuk di kështu që nuk mund të bëhem opinionist sepse do thoja vetëm budallallëqe.”
Cassano është futbollisti i dytë i Milanit që është lodhur nga futbolli. Ditë më parë edhe Zlatan Ibrahimovic tha se nuk do të luante futboll edhe për shumë kohë.
Top Channel