Kryeministri grek po zhvillon një sërë bisedimesh me homologët e vendeve të BE për të aprovuar këstin e ri të ndihmave që Greqisë i duhet brenda tetorit për të shmangur falimentimin.

Papandreu është takuar me presidentin e Këshillit të BE, Herman Van Rompuy dhe zyrtarë të tjerë në Varshavë, para se të takojë presidentin francez Nicolas Sarkozy në Paris.

Inspektorët ndërkombëtarë ndodhen në Athinë për të vendosur nëse Greqia duhet të marrë ose jo ndihmën prej 8 miliardë eurosh.

Ndërkohë, në vend qytetarët vazhdojnë të jenë të inatosur me masat anti-krizë, në vecanti me taksën e re mbi pronën.

Disa protestues kanë djegur në publik gazeta me lajmin mbi taksën e re, përpara zyrës së taksave në qytetin e dytë më të madh të vendit, Selanik.

Ndërkohë, zgjerimi i fondit rezervë për eurozonën duket se ka hyrë në rrugën e miratimit. Jean Claude Juncker, kryetar i grupit të ministrave të Financave të eurozonës, parashikoi më herët se një gjë e tillë do të ndodhë brenda gjysmës së parë të tetorit.

Juncker foli për agjencinë e lajmeve “Reuters” pasi dhoma e ulët e Parlamentit gjerman mbështeti zgjerimin e Fondit Financiar Evropian të Stabilitetit, votimi i të cilit ishte një test edhe për kancelaren Angela Merkel.

Në qershor, Këshilli i Evropës propozoi zgjerimin e kapaciteteve të FFES-së nga 250 në 440 miliardë euro, si dhe lejimin e qeverive për të blerë bonde.

Pak ditë më parë Papandreu u takua personalisht me kancelaren Merkel në Berlin, e cila i garantoi mbështetjen e Gjermanisë për daljen nga kriza e borxhit. 

Greqi, në shitje asetet publike

Situata tragjike në të cilën ndodhet ekonomia greke ka detyruar qeverinë të nxjerrë në shitje gati të gjitha asetet publike.

Në një njoftim të dërguar disa ditë më parë, qeveria tregonte se tashmë është përgatitur drafti ligjor dhe se së shpejti do të fillojnë procedurat për nxjerrjen në shitje të disa prej godinave më historike të vendit.

Më kryesorja renditej ndërtesa e Ministrisë së Jashtme në rrugën “Vasilis Sofias”, ajo e Ministrisë së Drejtësisë, godina e televizionit shtetëror ERT në rrugën “Rigjilis”, por edhe godina të tjera simbol, sic Drejtoria e Policisë së Atikës, ajo e Policisë së Emigracionit dhe një numër i madh godinash nëpër gjithë vendin.

Zëdhënësi i qeverisë sqaroi se ndërtesat do t`iu shiten privatëve dhe do të rimerren prej tyre me qera, cka garanton funksionimin normal të institucioneve. Përmes një hapi të tillë synohet që nga shitja e aseteve shtetërore të mblidhen rreth 1.2 miliardë euro.

Një plan tjetër privatizimesh pritet të fillojë së shpejti, në të cilin renditen kompanitë që ende janë pronë e shtetit, ku vendin kryesor e zë korporata energjitike DH.E.I, aksionet shtetërore të Aeroportit të Athinës, hekurudhat, por edhe disa prej ndërmarjeve publike më të fuqishme në vend.

Greqi, kriza sjell rritje të numrit të vetëvrasjeve

Nga ana tjetër, kriza ekonomike ka cuar në një rritje dramatike të numrit të vetëvrasjeve. “Wall Street Journal”, në një numër të disa ditëve më parë, njoftonte për shtim e vetëvrasjeve në masën 40% në 5 muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njejtën periudhe të vitit që shkoi.

Gazeta shkruante se viktimat mund të jenë edhe më shumë, sepse në Greqi vetëvrasja shihet si turp dhe shumë familje tentojnë t’i kalojnë të tilla episode si incidente.

“Të tjerë përpiqen të bëjnë në mënyrë teatrale, sic ishte rasti i një burri që i vuri flakën vetes përpara një banke në Selanik”, shkruante gazeta prestigjoze.

Organizata Klimaka, që menaxhon një linjë telefonike në ndihmë të personave në vështirësi të tilla, thoshte për gazetën se, nga 10 telefonata në ditë që merrte një herë e në një kohë, tani ka ditë që merr mbi 100 telefonata. Ata që ngrenë receptorin janë më së shumti meshkuj të shkatërruar financiarisht, kryesisht të moshave nga 35 deri ne 60 vjec.

Kriza në vend ka sjellë edhe këtë pasojë dramatike, të cilën sipas “Wall Street Journal”, e ilustrojnë më së miri tre vetëvrasje brenda një kohe të shkurtër në një treg të Heraklionit, në jug të Kretës.

Top Channel