LVV e ‘bën’ qeverinë e vetme, vazhdon numërimi i votave të diasporës, Kurti siguron 52 mandate Shtetet e Bashkuara pritet të rishikojnë kontributin e tyre ushtarak në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, si pjesë e një ristrukturimi më të gjerë të pranisë së Aleancës në vend.
Një zyrtar i Komandës Europiane të SHBA-së (EUCOM) i tha Radios Europa e Lirë se vendimi bazohet në vlerësimin e fundit vjetor të Komandës Supreme të Forcave Aleate në Europë (SHAPE), e cila ka rekomanduar përshtatjen e dislokimit të forcave në terren.
Sipas tij, NATO-ja do të përshtatë vendosjen e trupave të saj, në mënyrë që ato të jenë të shpërndara më efektivisht sipas nevojave të sigurisë në terren. Megjithatë, zyrtari amerikan theksoi se Uashingtoni vazhdon ta konsiderojë KFOR-in një element kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, pa dhënë hollësi mbi natyrën apo përmasat e ndryshimeve të planifikuara. Javën e kaluar, NATO-ja njoftoi se gjatë vitit të ardhshëm do të zvogëlojë gradualisht praninë e saj në Kosovë, duke argumentuar se situata e sigurisë ka shënuar përmirësime.
Aktualisht, KFOR-i numëron më shumë se 4.600 trupa nga 31 vende pjesëmarrëse. REL kërkoi gjithashtu komente nga ministritë e Mbrojtjes të Italisë dhe Hungarisë, dy prej kontribuuesve kryesorë të misionit krahas SHBA-së, për të kuptuar nëse po shqyrtojnë ndryshime të ngjashme në praninë e tyre ushtarake, por nuk mori përgjigje. Po ashtu, pa përgjigje mbeti edhe kërkesa për koment drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi javën e kaluar se Kosova disponon një ushtri të fuqishme dhe një polici profesionale, ndërsa paralajmëroi edhe krijimin e xhandarmërisë, me synimin për të forcuar sigurinë, stabilitetin dhe rrugën drejt integrimit euroatlantik.
Top Channel