Tiranë, ekzekutohet Arjan Selimi

26/09/2011 00:00

Arjan Selimi u ekzekutua rreth orës 19.25 minuta në Tiranë, në afërsi të apartamentit të tij të banimit pranë rrugës “Stavri Themeli”.

Dy persona, ende te paidentifikuar, kane qëlluar me breshëri automatiku ndaj Selimit dhe më pas mendohet se janë larguar me një makinë “Ford”, me ngjyrë të bardhë e xhama të zinj, pa targa. Nga atentati ka mbetur i plagosur rëndë edhe një adoleshent, banor i lagjes, ndërkohë që kanë shpëtuar mrekullisht fëmijët që luanin para pallatit.

Mbi Selimin është kryer një qitje me armë më shumë se 30 herë, gjashtë prej të cilave e kanë kapur në kokë dhe në trup, duke i shkaktuar edhe vdekjen.

Por policia ka në dorë dëshmitarin okular, i cili ndodhet në reanimacion, por jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve nga grupi i hetimit, mendohet se 20 vjecari i plagosur i njeh autorët e krimit dhe identifikimi i tyre është vetëm cështje orësh, sapo Klevis Kola të jetë në gjendje për t’u marrë në pyetje.

Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 19.25, janë dëgjuar krisma arme dhe menjëherë është njoftuar policia e kryeqytetit. Në vendin e ngjarjes janë nisur të gjitha shërbimet e Komisariatit Nr. 2, që rrugës janë vënë në dijeni se ishte vrarë një person dhe ishte plagosur një tjetër. Sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, është kuptuar se viktima e atentatit ishte Arjan Selimi, i arrestuar prej tyre gjatë operacionit “Kompas” dhe i dënuar për trafik të lëndëve narkotike. Gjatë atentatit kishte mbetur i plagosur edhe adoleshenti Klevis Tole, që është dërguar me urgjencë në spital nga vetë babai i tij. Sipas mjekëve, i plagosuri ka marrë plagë në bark dhe në kofshë. Nga ana tjetër, policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe ka nisur të mbledhë informacion te banorët e zonës, duke rindërtuar krimin e rëndë. Burimet policore shpjeguan se Selimi kishte dalë nga apartamenti dhe ishte afruar pranë makinës së tij “Land Rover”, kur një person është drejtuar me automatik në dorë. Duke i bërtitur një vajze në rrugë, atentatori i ka qëlluar me breshëri, pa ndërprerje ndaj Selimit, duke e lënë të vdekur në vend. Të gjithë banorët janë tmerruar dhe kanë vrapuar për t’u fshehur, ndërkohë që plumbat kanë kapur një adoleshent, i cili nxitonte për t’u fshehur. Gjithashtu, në sheshin para pallatit ndodheshin shumë fëmijë e familjarë, por fatmirësisht nuk janë plagosur, pavarësisht se plumbat kanë dëmtuar mjete dhe dyqane pranë vendit të ngjarjes.

Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve të mundshëm të saj. Nga të dhënat e mbledhura dyshohet se autori i vrasjes nuk ka qenë i vetëm dhe dikush tjetër e ka ndihmuar të largohet me një mjet pa targa. Sipas të dhënave hetimore, mjeti ishte “Ford”, me ngjyrë të bardhë dhe xhama të zinj. Ai është larguar, duke përfituar edhe nga errësira në të gjitha rrugicat rreth vendit të ngjarjes. Policia mendon se krimi ka qenë atentat për larje hesapesh, por nuk përjashtohet edhe ndonjë konflikt i kohëve të fundit. Selimi ishte liruar me kusht dhe ditët e mbetura të dënimit i kalonte në “arrest shtëpie”. Banorët e zonës rrëfejnë se shumicën e kohës e kalonte në lokalin përbri pallatit, ku vërehej që në orët e para të mëngjesit. Gjithashtu banorët tregojnë se në apartamentin e tij bashkëjetonte me regjisoren Inis Gjoni, e cila nuk ka qenë në vendin e ngjarjes kur ka ndodhur krimi. Arjan Selimi, i njohur ndryshe edhe me emrin Armand Andoni, ra në pranga në sajë të operacionit të koduar “Kompas”, i zhvilluar më 23 qershor të vitit 2004 në Shqipëri, SHBA, Itali dhe Kosovë. Në atë kohë u arrestuan më shumë se 40 persona, por vetëm tetë prej tyre u akuzuan për “trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike”. Drejtues i rrjetit u cilësua Selimi, i cili u dënua me 16 vjet heqje lirie. Selimi njihet edhe si partneri i show girl-it shqiptare, Inis Gjoni, e cila është shtatzënë disamuajshe. Ai është me origjinë nga Shkodra dhe njihej si një prej biznesmenëve më të mëdhenj në Tiranë. Për një kohë të gjatë, ai ka jetuar në Amerikë.

Top Channel