Topalli: Jo ndryshimit të Kushtetutës

23/09/2011 19:10

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka përjashtuar në mënyrë kategorike propozimin për ndryshime kushtetuese të bërë nga opozita.

“Fjala ‘ndryshime kushtetuese’ nuk ekziston në fjalorin e mazhorancës. Nuk ka vend për një diskutim të tillë pasi Kushtetuta aktuale është konsesuale”, ka deklaruar Topalli.

Sipas saj, refuzimi i projekt/ligjeve të rëndësishme nga PS është një tjetër dëm që i bëhet vendit pas bojkotit 2-vjecar të Kuvendit.

Megjithatë, Topalli ka nënvizuar se mazhoranca do të mbetet e hapur për të bashkëpunuar me opozitën për rendin kushtetues dhe do të mirëpresë cdo propozim tjetër të saj.

Reagimi i kryeparlamentares erdhi pas paraqitjes së 10 pikave nga kryetari i PS, Edi Rama, nga përmbushja e të cilave do të varet edhe miratimi i ligjeve që kërkojnë tre të pestat e votave.

Në këtë pakt përfshihet ndër të tjera reforma parlamentare, reforma zgjedhore, zgjedhja e krerëve të institucioneve të pavarura  etj.

Lidhur me rregulloren e Parlamentit, Topalli deklaroi para disa ditësh në një intervistë për VOA, se propozimet e PS për ndryshime ka gjasa të mos pranohen te gjitha.

Topalli iu referua vecanërisht rikthimit në rregullore të nenit që përcakton votim të fshehte për dekretet e presidentit për emërimin e anëtarëve të Gjykates Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë.

Top Channel