Strategjia trevjeçare, mungon “Saranda”

22/09/2011 08:45

Duket se të paktën edhe për tre vjet të tjera në Shqipëri do të operojë një aeroport i vetëm, ai i Tiranës, ndërkombëtari “Nënë Tereza”.

Në dokumentin zyrtar të Ministrisë së Transporteve, miratuar së fundmi në qeveri, te sektori i ‘transportit ajror’, nuk përmendet asnjë projekt i ri për ndërtimin e një aeroporti tjetër.

Ndryshe nga sa kishte deklaruar Kryeministri apo vetë ministri Sokol Olldashi se po negociohet për ndërtimin e një piste të re, në Jug të vendit, në strategjinë trevjeçare për vitet 2012-2014, nuk ofrohet asnjë zhvillim për sektorin, por mjaftohet vetëm me disa projekte trajnimi, blerje pajisjesh për zyrat dhe ëorkshop-e jashtë shtetit për të arritur standardet.

Shpresat për ngritjen e një aeroporti tjetër shuhen me planin e fundit të ministrisë, kurse shqiptarët do të vijojnë ende të vuajnë kostot e larta të udhëtimit, për shkak të monopolit gjerman të “Rinasit”.

Situata paraqitet negative edhe për aeroportin e mbetur si “depo” për ulje-ngritjet emergjente në Veri të vendit.

Linja e Kukësit, aty ku mundësitë ishin më të mëdha, duket se nuk po merr zgjidhje. Ministria thotë se do të bëjë përpjekje për ta futur në punë, për qëllime civile (udhëtime), kurse për mallrat mësohet se lëvizjet ndodhin herë pas here, në varësi të situatës.

Për këtë aeroport, ministri nuk parashikon asnjë zhvillim në interes të shqiptarëve, por vetëm shpenzime për rojet dhe karburant, me një vlerë mesatare për tre vitet e ardhshme 16 milionë lekë në vit.

Ja çfarë thotë ministria në strategjinë sektoriale për aeroportet, marrë nga dokumenti zyrtar, për vitin 2012.

“…Përfshirja me të drejta të plota e transportit ajror në Zonën e Përbashkët Europiane të Aviacionit (ECAA) dhe në iniciativën e ‘Qiellit të vetëm Europian’. Implementimi i standardeve ndërkombëtare tashmë të sanksionuara në sistemin legjislativ kombëtar, nëpërmjet përshtatjes së akteve rregullatore të fushës së transportit ajror me ‘acquis communautarie’ në këtë fushë. Rritja e performancës së administratës së aviacionit civil tashmë e ristrukturuar sipas standardeve europiane. Ruajtja e investimeve të kryera në aeroportin e Kukësit”.

Të ndara në pika, këto ishin synimet e ministrisë, për vitin e ardhshme dhe janë gati të njëjtat edhe për vitet 2013-2014.

Në fakt, prej kohësh qeveria dhe kompania gjermane që menaxhon aeroportin e vetëm në Shqipëri janë në diskutime për rishikimin e kontratës 20-vjeçare, e cila i jep të drejtën koncesionarit për të operuar i vetëm deri në 2025-n.

Berisha e ka pranuar se kontrata nuk është hartuar në kushtet e duhura dhe se kërkon një ndryshim të saj, në interes të dy palëve. Nga Ministria e Transporteve mësohet informacioni se pala shqiptare i ka ofruar gjermanëve disa alternativa.

E para, marrja në dorëzim e aeroportit të Kukësit, ku edhe pse do ta kishte sërish e njëjta kompani, të paktën do të kishin dy linja.

Varianti i dytë i propozuar është ndërtimi i aeroportit të Sarandës, po nga gjermanët dhe i menaxhuar sërish nga koncesionari. Kurse pala private i mohon këto zhvillime, ndërsa pretendon se në bazë të një studimi rezulton i paleverdisshëm menaxhimi i Kukësit apo ndërtimi i linjës në Sarandë.

Top Channel