“Presidenti”, Patozi: Do zgjidhet sipas Kushtetutës

22/09/2011 00:00

Duke prekur tematikën e zgjedhjes së presidentit, nënkryetari dhe kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi tha në Top Story se zgjedhja e tij do të bëhet në bazë të Kushtetutës dhe sipas ligjit themeltar, mazhoranca ka luksin ta zgjedhë atë edhe me shumicë të thjeshtë dhe pa konsensusin e opozitës.
 

 

 

 

“Presidenti do zgjidhet sipas kushtetutës, dmth pas dështimit të një konsenusi të mundshëm do të zgjidhet me 71 vota. Mënyra tjetër e zgjedhjes është që opozita të bjerë dakort me emrin e presidentit të propozuar nga mazhoranca që ka luksin ta zgjedhe edhe vetëm”, tha zoti Patozi.

Nënkryetari demokrat ritheksoi edhe njëherë qendrimin e mazhorancës për të mos ndryshuar kushtetutën, megjithatë ai nuk përjashtoi mundësinë që në zgjedhjen e kreut të shtetit të ketë supriza, që në këtë rast do të thoshte gjetja e një emri ku si pozita ashtu edhe opozita të jepnin konsenusin e tyre.

Patozi: Opozita nuk po kryen detyrën 

Më tej nënkryetar i Partisë Demokratike tha se opozita nuk po bën punën e
saj duke mos miratuar ligjet në Parlament dhe në këtë mënyrë është bërë
një hap prapa në kuadër të integrimit të Shqipërisë. 

“Ne bëmë një hap prapa sot pasi opozita u rikthye në marrëdhënien e saj të kushtëzuar me Parlamentin. Opozita nuk pranoi të votonte qoftë edhe kundër. Jemi përpara një situate dramatike për faj të opozitës”, tha Patozi.

Sipas tij, shqiptarët prisnin nga opozita sepse Rama kishte deklaruar se do të ndërmerrte një kurs të ri, por asgjë nuk ka ndryshuar.

“Ne vazhdojmë kursin tonë. Opozita kishte premtuar bashkëpunim në kuadër të integrimit. Rekomandimet e ndërkombatërve nuk përmbushen pa bashkëpunimin e opozitës dhe opozita premtoi se do ta bënte këtë gjë pa kushte dhe nuk mbajti premtimin”, u shpreh Patozi.

“Qytetarët shqiptarë presin nga opozita të bëjë punën e saj. Sot duhet të miratonim 5 ligje. Nuk mund t’i jemi mirënjohës opozitës vetëm se u rikthye në Parlament sepse kjo është detyra e saj”, deklaroi Patozi.

Shefi i grupit parlamentar demokrat u shpreh se opozita po mban një qëndrim absurd, të orkestruar nga kryetari i saj, që sipas tij ofendon institucionet.

“Kur ata erdhën në Parlament, e bënë thjesht për të parë edhe njëherë kopjet e ligjeve me shumicë të cilësuar dhe të jepnin opinionin e tyre. Kërkuan reformën zgjedhore, paralajmëruan se do kërkonin ndryshimin e rregullores, etj. Por më pas zoti Rama tha se, ‘nuk mund të marrim pjesë në miratimin e ligjeve roma për toma’. Një ofendim ky edhe për grupin e tij parlamentar”, nënvizoi Patozi.

Absurditeti sipas tij është shtuar me kërkesën që PS paraqiti sot për presidentin e Republikës, ndërkohë që në rend të ditës ishin cështje të tjera.

Më të rëndësishmen zoti Patozi ka konsideruar atë të integrimit evropian, pasi ka të bëjë me fatin e një vendi dhe jo me atë të personave të caktuar.

“Sot ishte cështja e mbetjeve dhe ajo e minierave. A mund të krahasohen këto cështje me atë të integrimit? Me gjithë respektin për minatorët, kjo nuk mund të krahasohet. Këtu flitet për marrëveshje të mëdha që kanë të bëjnë me fatin e integrimit të vendit. Sot papritur doli edhe cështja e presidentit. Është joetike përsa kohë ne e kemi një president, ndaj të cilit ata duket se s’kanë asnjë rezervë”, shtoi Patozi. 

Patozi: Opozita humbi shansin

Në vijim të fjalës së tij në Top Story, nënkryetari i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, akuzoi Partinë Socialiste se nuk po bën realitet kursin e ri.

Zoti Patozi tha se opozita, përkundër kushteve të saj për ndryshimin e rregullores së parlamentit, duhet të miratonte fillimisht ligjet e paraqitura për të dhënë një provë, sipas tij, se është e gatshme të bashkëpunojë për integrimin.

“Kursi i ri është një praktikë që nuk është bërë realitet. Ligji duhet të kalonte sot në seancë dhe opozita jepte një provë”, tha zoti Patozi.

Më tej nënkrytari dhe kreu i grupit parlamentar demokrat arsyetoi se në punimet e ditës së enjte të parlamentit janë ndjekur procedurat dhe se nuk mund të zbatohen standarde të ndryshme për miratimin e ligjeve. Ai tha se seanca e ditës së enjte ishte një shans i humbur për t’i dërguar Brukselit një sinjal pozitiv vetëm pak javë para dhënies së mendimit për Shqipërinë. 

Parlamenti ka procedura dhe rregullore që respektohen dhe ne nuk mund të kemi disa standarde në miratimin e ligjit. Sot kishim një shans që ndoshta sinjalet pozitive nga Tirana mund të ndryshonin mendimin e Brukselit pas 2-3 javësh”, tha zoti Patozi.

Top Channel