Nuk zbatohet vendimi i gjykatës

15/09/2011 21:30

Edhe pse kanë kaluar mbi 12 orë nga shpallja e vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili rikthente në qeli edhe për 10 ditë të tjera nënoficerin Sadik Çela nën akuzë për ngjarjet e 21 janarit, ky vendim ende nuk është ekezkutuar e për rrjedhim Çela ende nuk është dërguar në paraburgimin 313.

Në lidhje me këtë fakt Prokuroria e Përgjithshme pohoi se ende nuk ka mbërritur në duart e prokurorëve vendimi i Kolegjit Penal, çka do t’i jepte të drejtë Prokurorisë të urdhëronte policinë për arrestimin e nënoficerit të Gardës së Republikës.

Edhe Policia e Tiranës deklaroi se ende nuk ka një vendim i cili do ta detyronte të vinte në pranga një tjetër të dyshuar të Prokurorisë.

Por ajo që dihet është se në raste të tjera të ngjashme Gjykata e Lartë vepron duke ja dorëzuar dispozitivin në dorë prokurorit të dosjes pa qenë e nevojshme të zbardhej arsyetimi i tij.

Zyrtarisht askush nuk jep informacion se çfarë po ndodh dhe se përse nuk po zbatohet vendimi i gjykatës.

Megjithatë për ngjarjet e 21 janarit ku mbeten të vrarë në bulevard katër qytetarë përveç gardistit Agim Llupo t’i bashkangjitet për 10 ditë të tjera në qeli edhe gardisit Sadik Çela.

Top Channel