“Statusi? Përgjegjëse qeveria”

11/09/2011 19:00

Cështjet e integrimit përfshi krizën politike do të jenë në fokusin e vizitës në Tiranë të Ministrit të Jashtëm italian, Franko Fratini dhe të homologut grek, Stavros Lambrinidis.

Në një intetvistë për Top Channel Ermelinda Meksi, kryetare e komisionit parlamentar për integrimin fillimisht komenton vizitën e dy kryediplomatëve.

“Ata do të theksojnë edhe njëherë ato që tashmë janë bërë publike nëpërmjet dokumentave shumë të rëndësishme tashmë të vëna në dispozicion të Shqipërisë, që kanë të bëjnë me transparencën që hodhi për procesin zgjedhor raporti OSBE-ODIHR , si dhe problemet që shtron për zgjidhje në deklaratën e saj, baronesha Ashton dhe komisioneri Fyle për problematikën që duhet të adresoj parlameti shqiptarë, politika shqiptare në drejtim të një reforme të thellë parlamentare, elektorale dhe kushtetuese”, tha zonja Meksi.

Ermelinda Meksi, ish-minsitre e Integrimit shpjegon se cili do të jetë roli opozitës në proceset integruese.

“Në këtë sesion të ri parlamentar ne vimë me një vizion përgjegjësie dhe gjithëpërfshirje. Ka edhe një arsye më shumë. Jo se ka ndryshuar gje, por sepse të gjitha ato që ne kemi thënë gjënden të shprehura në mënyrë shumë të saktë në dy materialet e sipërcituara. Pra në raportet e OSBE-ODIHR-it që adreson hapur dhe qartë problematikën e zgjedhjeve në Tiranë që nuk ishin të mira dhe në propozimet që bën zonja Ashton dhe Fyle në lidhje me reformën që duhet përfshirë parlamenti, propozime të cilat janë bërë më parë nga opozita. Prandaj edhe njëherë ne shprehim dëshirën për të bashkëpunuar jo duke e konceptuar procesin e integrimit një retorikë. Unë me eksperiencën e gjatë që kam në këto cështje kam mësuar, ndoshta edhe më mirë se të tjerët që ne nuk mund t’ia hedhim BE-s dhe nuk duhet të na shkojë në mendje që procesi integrimit është thjesht një proces semplist aprovimi ligjesh ku opozita ngre dorën me sy mbyllur. Jo nuk është kjo, nuk kërkon këtë BE, s’është kjo arsyeja që ligjet bëhen më asistencë europiane dhe nuk zbatohen”, thotë Meksi.

Zonja Meksi ngre shqetësimin e mungesës së fondeve në lidhje me integrimin.

“Opozita po punon për të prezantuar një draft alternativë për rregulloren parlamentare e cila synon të adresojë me prioritet cështjet integruese duke patur një frymë gjithëpërfshirje, por duke kërkuar edhe një transparencë të buxhetit dhe në mënyrë të vecantë shqetësimet buxhetore që sot janë një shqetësim për Shqipërinë shumë i madh, por edhe për Europën dhe Amerikën në kushtet e krizës globale, duhet të përdoren me efektivitet në rastin konkret në mënyrë të posacme në problematikën integruese sepse unë si kryetare e integrimit shqetësohem se nga vendimet e qeverisë të bëra në korrik reflektojnë një shkurtim drastik shpenzimesh pa konsideruar këtë shqetësim që adresojnë raportet e progresit dhe nevoja për adresimin e 12 prioriteve për forcimin e strukturave që do të bëjnë të zbatueshme realizimin e atyre cështjeve që kërkon procesi integrimit”, deklaron deputetja Meksi.

Pyetjes nëse Shqipëria më 12 tetor do ta fitojë statusin e vendit kandidat, Ermelinda Meksi i jep përgjigje duke u bazuar në deklaratën e disa ditëve më parë të Ministres së Integrimit, Majlinda Bregu.

“Unë do të uroja me gjithë zëmër, por sic e thashë, kjo nuk është një dhuratë por një pjesë e arritjeve ose mosarritjeve. Personalisht deklarata që u bë nga një përfaqësues i qeverisë lidhur me adresimin e përgjegjësisë së mosarritjeve është një zë shqetësues për mua personalisht dhe për të gjithë opionionin shqiptar sepse mua m’u krijua ndjesia që është një para-përgatitje e opinionit që nuk do të merret ky status, por ne duhet të vëmë gishtin se kush është fajtori. Me këtë rast desha të theksoj se kam qenë Ministre e Integrimit dhe kurrë nuk e kemi vënë gishtin tek përgjegjësitë e opozitës, por përgjegjesitë janë të pozitës. Sigurisht edhe opozita ka pjesën e vet të detyrave të cilat gjënden të reflektuara në këto angazhime që unë po them. Dhe unë shpresoj që më shumë se sa të fillojmë të vemë gishtin tek fajtorët, kërkohet të bëhet prezent sa më shpejt një qasje e re e politikës shqiptare në lidhje me cështjet e integrimit”, tha ajo.

Një ngecje e proceseve integruese për Ermelinda Meksin do të thotë një mori pasojash negative afatgjata për Shqipërinë.

Top Channel