Top Story, kabllogramet e Wikileaks

08/09/2011 00:00

Në takimin e parë të Top Story, analistë dhe politikanë, komentuan dhe
analizuan fenomenin Wikileaks, posacërisht publikimin e kabllogrameve që
lidhen me Shqipërinë.

 

Ish ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj ka deklaruar se materialet e publikuara nga
Wikileaks, janë të vërteta dhe nuk duhet të shikohen si një shtrembërim
faktesh. 

Ai theksoi se gjatë leximit të kabllogramëve që flisnin për të, ka rezultuar se ishin të gjitha të vërteta.

“Një arsenal materialesh që duhet të shqyrtohen me kujdes nga të gjithë. Në raportimet e diplomatëve, qofshin këta amerikanë apo shqiptarë, raportimi diplomatik ka dy pjesë. Një ku raportohen fakte, për të cilat nuk i lejohet të sajojë. Për opinionet që ai shpreh është përgjegjës vetë”, është shprehur Mustafaj.

“Në raportimet që kanë të bëjnë me mua, në asnjë nuk kam konstatuar se është deformuar ligjërata ime… Unë e quaj një publikim shumë të rëndë për klasën politike. Kjo është një pasqyrë që nuk është asnjëherë 100% e vërtetë me realitetin, por thelbi mbetet”, theksoi Mustafaj.

Bashkurti: Kabllogramet, cunam mbi politikën shqiptare

Lisen Bashkurti, drejtori i universitetit ndërkombëtar të Tiranës, është shprehur se kabllogramet e “wikileaks” janë “një cunam mbi politikën shqiptare”.

“Kabllogramet ngrenë probleme shumë të mëdha për Shqipërinë dhe nuk i ngrenë vetëm për të tashmen, por edhe vitet që vijnë. Ky është një cunam mbi politikën shqiptare. Emrat janë përdorur në kabllograme si përfaqësues institucionesh dhe arrihet në konkluzione perfekte”, shprehet Bashkurti në emisionin ‘Top Story’, në Top Channel.

“Kabllogramet tregojnë se Shqipëria vazhdon me një qeverisje fraksionesh lokale, të tipit Haxhi Qamili”, shton Bashkurti.

Sterkaj: Nuk shqetësohem për kabllogramet

Paulin Sterkaj, deputet i Partisë Socialiste, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar për kabllogramet e “Wikileaks” në të cilat ai përfshihet në një vrasje në fushatën e vitit 2009 dhe akuzohet për mungesë arsimimi.

“Nuk shqetësohem për kabllogramet. Ai ish-miku im i ambasadës është munduar të më tregojë pa arsim, por unë kam diplomë prandaj nuk lodhem për të përgënjeshtruar. Përsa i përket akuzës së vrasjes në fushatën e 2009-s: unë jam vënë në dispozicion të drejtësisë që të bëhet zbardhja e asaj vrasjeje. Viktima është nga Malësia e Madhe dhe unë nuk jam thirrur asnjëherë nga organet e drejtësisë edhe pse kam treguar publikisht se jam i disponueshëm”, sqaroi Sterkaj, i ftuar në emisionin ‘Top Story’.

“Unë nuk befasohem nga shkrimet e gazetave, por mendoj se ata që më njohin janë befasuar shumë nga kabllogramet”, shtoi Sterkaj.

Bashkurti: Arvizu, ambasador i drejtpërdrejtë

Analisti, Lisjen Bashkurti, bëri një krahasim në qendrimet e mbajtura nga ish-ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Withers dhe ambasadorit aktual, Arvizu. Zoti Bashkurti tha se ndryshe nga Withers, që ishte më tepër diplomat në deklaratat e tij, ambasadori Arvizu është shumë më i drejtpërdrejtë. Sipas tij, deklaratat e Arvizut nuk lënë vend për interpretime nga klasa politike shqiptare. 

“Arvizu është shumë më i drejtpërdrejtë, nuk përdor metafora, duke mos i lënë ambiguitet politikës shqiptare”, deklaroi zoti Bashkurti.

Sipas Bashkurtit, politika e jashtme amerikane është konsekuente dhe nuk ndryshon me ndryshimin e ambasadorëve. Ambasadorët, tha ai, nuk kanë mandate dhe emërohen në bazë të situatës së kërkuar.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA