Gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Hashim Thaci ka rikonfirmuar gatishmërinë e qeverisë së tij për të vazhduar dialogun me Beogradin.

Pavarësisht se është kundërshtuar nga opozita, Thaci ka nënvizuar se dialogu duhet të vazhdojë për zgjidhjen e cështjeve teknike dhe për integrimin euro-atlantik.

Nga radhët e opozitës, deputeti i LDK-së Skënder Hyseni ka deklaruar se bisedimet duhet të ndërpriten përsa kohë Prishtina, sipas tij, nuk ka një platformë të qartë për zhvillimin e tyre.

“Meqenëse qeveria ka vendosur të dialogojë, atëherë ajo nuk duhet të pranojë dy lloj vulash në dogana dhe cdo zgjidhje që lëndon karakterin unitar të Kosovës”, ka pohuar Hyseni.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i grupit parlamentar të AAK-së, Adrian Gjini, i cili ka nënvizuar se dialogu duhet të ndërpritet pasi nuk po shkon në dobi të Kosovës.

“Dialogu duhet të vazhdojë vetëm atëherë kur qeveria të ketë një platformë të qartë rreth bisedimeve”, është shprehur Gjini.

Top Channel