Kosovari 21-vjeçar, Arid Uka, ka kërkuar falje në gjykatë për vrasjen e
dy ushtarëve amerikanë në aeroportin e Frankfurtit, duke thënë se ishte i
ndikuar nga propaganda islamike.

“Kërkoj falje. Më 2 mars, unë i vrava dy njerëz dhe kam hapur zjarr kundër tre të tjerëve. Sot unë nuk mund ta kuptoj vetveten se si kam mundur të veproj në këtë mënyrë”, tha Arid Uka, bën të ditur EJL.

Prokurori Herbert Deimer tha në gjykatë se Arid Uka, kishte shkuar në aeroport më 2 mars, me qëllim që t’i vriste pjesëtarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për shkak të ndërhyrjes në Afganistan.

Prokurorët besojnë se Arid Uka, që ka lindur në Mitrovicë të Kosovës, por është rritur në Frankfurt të Gjermanisë, ka vepruar vetëm dhe nuk i përket ndonjë rrjeti terrorist.

Ai është i akuzuar për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në Frankfurt, në muajin mars dhe për tentativë vrasjeje të tre ushtarëve të tjerë.

Pritet që procesi të zgjasë 10 ditë, ndërsa vendimi do të shpallet vitin e ardhshëm. Nëse shpallet fajtor Uka mund të dënohet me burgim të përjetshëm.

Top Channel