Nacionalisti serb Vuk Drashkovic ka deklaruar sërish se Serbia e ka humbur Kosovën dhe ka bërë thirrje që politika serbe të fokusohet në implementimin e asaj pjese të planit Ahtisari që ka të bëjë me serbët e Kosovës.

“Ruhet ajo që ke dhe të gjithë e dinë që Serbia nuk ka më asnjë lloj pushteti, e jo më sovraniteti, në Kosovë”, është shprehur Drashkovic në një shkrim autorial.

Drashkovic ka nënvizuar se në kufijtë e jashtëm të Kosovës, me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë nuk ka asnjë roje kufitare dhe doganier serb, si dhe asnjë simbol të Serbisë.

“Të gjithë ne e shohim që mbreti është i zhveshur, por vija e kuqe kërkon që ne të ruajmë rrobat joekzistuese dhe të braktisim BE-në, ku ka rroba, nëse do të na kërkohet të heqim dorë nga rrobat mbretërore të Kosovës, të cilat nuk ekzistojnë”, ka shtuar më tej Drashkovic.

Drashkovic, dikur një ultranacionalist i spikatur i politikës serbe, ka kohë që kundërshton politikat e Beogradit përsa i përket Kosovës, e cila sipas tij është shkëputur me kohë nga Serbia. 

Top Channel