Këshilli i Sigurimit, të hënën seanca për Kosovën

28/08/2011 13:10

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mbajë të hënën seancën e rregullt për Kosovën, ku do të prezantohet raporti më i ri i sekretarit të përgjithshëm të KB-ve për gjendjen në Kosovë.

Ban Ki-Mun në raportin e rregullt për Kosovën fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.

Situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, e cila përfshihet në raport, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur nga fundi i kësaj periudhe, thuhet në raport.

Kosova në Këshillin e Sigurimit do të përfaqësohet nga shefi i diplomacisë, Enver Hoxhaj, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremic. Po ashtu, në seancë për herë të parë si përfaqësues i UNMIK-ut pritet të marrë pjesë shefi i ri i këtij misioni, diplomati afgan Farid Zarif.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Vuk Jeremic ka paralajmëruar se Serbia në këtë seancë do të kërkojë “dënimin e përdorimit të njëanshëm të dhunës” në veri të Kosovës.

Top Channel