Frika për fatin e kredive të këqija dhe aksioneve të pasigurta si dhe zhvlerësimi i kapitalit të tyre në bursë, kanë sjellë në Greqi krijimin e një grupi gjigand bankar që lind nga shkrirja e dy prej bankave private të vendit, Alpha Bank dhe Euro Bank.

Marrëveshja, që pritet të zyrtarizohet në mëngjesin e së hënës para hapjes së bursës, përbën lëvizjen më të madhe që është bërë ndonjëherë në sektorin bankar në Greqi, në kuadrin e frikës së shumë prej bankave, nga mungesa e likuiditetit, do t’i drejtohen Arkës së Stabilitetit të Kreditimit,që nënkupton shtetëzimin e tyre.

Të dyja bankat në fjalë kanë parë aksionet e tyre të premten të bien në nivelet më të ulta nga krijimi i tyre, por shpresojnë që ky bashkim të sjellë ndryshime rrënjësore në bursën greke.

Partner i bankës së re, emri i së cilës ende nuk dihet, është edhe shteti i Katarit i cili ka derdhur në fondin e ri, të pakten 2 miliard euro dhe kapitale të tjera investuese.

Grupi i ri bankar do të jetë më i madhi në Europën Jug-lindore dhe një prej 25 më të mëdhenjve të Europës, do të ketë kapitale aktive mbi 150 miliard euro, 80 miliard depozita, 8 milion klientë dhe 2000 degë bankare në 10 vende, midis tyre dhe Shqipëria.

Përsa i përket depozitave, ekonomistët thonë se ato bëhen akoma më të sigurta nga ky bashkim.

Shkrirjen e dy bankave greke e sheh me sy pozitiv edhe qeveria greke që pret lëvizje të ngjashme në sektorin bankar që është celësi kryesor i daljes nga kriza e thellë ekonomike që po kalon vendi.

Top Channel