Arsimi dhe shëndetësia kthehen në kreditorë të rëndësishëm

08/08/2011 08:15

Bizneset e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë ishin sektorët me rritjen
më të madhe në volumin e kredive të marra në banka në gjashtëmujorin e
parë të këtij viti, bëhet e ditur nga statistikat e Bankës së
Shqipërisë, duke dëshmuar për zhvendosje të vëmendjes së bankave nga
sektorët “tradicionalë” si ndërtimi apo industria përpunuese.

Të tre këta sektorë kanë ende një portofol kredish të vogël në krahasim me pjesën tjetër të ekonomisë, por pjesa e tyre është në rritje.

Biznesi shqiptar kishte 351.7 miliardë lekë detyrime në fund të qershorit ndaj sistemit bankar, me rritje 14 për qind kundrejt qershorit 2010. Por kredia për bujqësinë u rrit me 55 për qind dhe aktualisht është 4.6 miliardë lekë, ndërsa kredia për arsimin privat u rrit me 23 për qind, duke arritur në 4.1 miliardë lekë.

E njëjta gjë ndodhi edhe me industrinë e shërbimit shëndetësor privat, e cila u rrit me 17 për qind, duke arritur në 4.7 miliardë lekë.
Gjatë periudhës së bumit të madh të kreditimit 2004-2007, bankat u ekspozuan me tepri ndaj sektorit të ndërtimit, përmes kredive direkte për kompanitë e ndërtimit dhe përmes kreditimit të blerjes së pronave të patundshme.

Gjatë tre viteve të fundit, zhvendosja nga ndërtimi drejt sektorëve të tjerë të ekonomisë ishte prioritet. Industria e arsimit privat u zhvillua gjatë viteve të fundit kur qeveria lëshoi pa kritere një numër të konsiderueshëm lejesh për universitete private, ndërsa kujdesi shëndetësor u zhvillua gjithashtu falë disa investimeve të huaja.

Sot sektori i tregtisë është kredimarrësi më i madh në Shqipëri, me 121 miliardë lekë borxhe, ose 34 për qind e totalit. Sektori i ndërtimit ka 67 miliardë lekë kredi ose 19 për qind të totalit. Sektorë të tjerë të rëndësishëm në kredimarrje janë industria përpunuese me 15 për qind të totalit të kredive për biznes, si dhe sektori i energjisë elektrike e ujit, me 7.2 për qind të totalit.

Top Channel