Homazhet për Sulejman Krasniqin

17/07/2011 16:10

Sulejman Krasniqi, një përfaqësues i denjë i letrave shqipe u nda nga jeta.

Shkrimtari i rreth 20 veprave historike, autori i një sërë artikujve dhe shkrimeve gazetareske, konsiderohej si Balzaku i letrave vendase. “Në shpellën e banditëve”, “Qielli i përflakur”, “Prijësja e komitëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Besëlidhja shqiptare”, “Pushka top”, “Bajram Curri”, “Dardanët”, “Oso Kuka”, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, janë disa prej veprave të shkruara nga Sulejman Krasniqi.

Në homazhet që u kryen sot në Muzeun Historik Kombëtar, ishin të pranishëm familjare, miq, shkrimtare e politikane. Kryeministri Berisha dhe kolegë të shkrimtarit shprehën konsideratat e tyre për të.

“Letrat shqipe dhe bota intelektuale shqiptare humbi sot shkrimtarin e atdhetarizmit, trimërisë dhe përpjekjeve mbinjerëzore të shqiptarëve për liri dhe dinjitet”, theksoi kryeministri Berisha.

“Sulejman Krasniqi është një nga shkrimtarët më të veçantë të letërsisë shqipe. Ai erdhi nga Prizreni dhe solli botën e shqiptarëve të atjeshëm që është e njëjtë me atë të shqiptarëve në Shqipëri. Historinë e Shqipërisë e ngriti në art me romanet e tij”, vlerësoi shkrimtari Bardhyl Londo.

Sulejman Krasniqi lindi më 7 dhjetor të 1937 në Hocë të Vogël të Komunës së Rahovecit, në Kosovë, në një familje atdhetare. U arratis për në Shqipëri me përkushtimin për të bërë të pamundurën për çështjen kombëtare dhe pas studimeve të larta, zgjodhi pikërisht shkrimin për t’iu dedikuar kësaj çështjeje, duke frymëzuar me veprën e tij edhe luftëtarët në luftën e Kosovës.

Përpos vlerësimit moral të publikut, Krasniqi është fitues i një sërë çmimeve të ndryshme letrare, si ai i Republikes për romanin Mic Sokoli dhe i medaljeve e urdhrave të punës. Ndarja nga jeta e Sulejman Krasniqit, përpos humbjes së njeriut, shënon edhe një humbje për letërsinë shqipe, së cilës ai iu dedikua me përkushtim edhe pse i sëmurë në vitet e fundit të jetës.

 

Top Channel