Prokuroria, 91 vjet burg grupit të drogës

29/06/2011 20:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi 91 vjet burg në total për shtatë të pandehurit, që njihet si “dosja dy” e Durrësit, duke marrë shkas nga përgjimet e kryera ndaj të pandehurit Endrit Dokle në kohën që ai qendronte në paraburgim në pritje të procesit gjyqësor ndaj të akuzuarve si grupi i Durresit.

Sipas prokurorit Anton Martini, të pandehurit Isuf Buna, Shefqet Vata, Jorid Cuka, Edmond Taulla, Blendi Prendi, Vito Biba dhe Eglantina Biba kanë marrë pjesë në grup të strukturuar kriminal, si dhe kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Italisë në disa episode, në sasinë 40 kilogramë heroinë.

Lidhjet mes anëtarëve janë zbuluar nga përgjimet ndaj të pandehurit Endrit Dokle, i cili së bashku me kosovarin Izet Krasniqi do të gjykohen vecmas për trafikun e drogës.

Sipas prokurorit, heroina shpërndahej nga njerëz që i gjente Endrit Dokle, që edhe pse në qeli prej vitit 2005, kontrollonte shpërndarjen e drogës me telefon nga paraburgimi.

Sipas prokurorit, ky grup është ngritur në gusht të vitit 2008 dhe deri në prill 2009 ka trafikuar nga Shqipëria nëpërmjet Bosnjes e më pas në Itali sasi droge, pjesa më e madhe e të cilës është bllokuar nga italianët.

Prokurori tha se në trafik ka ndihmuar edhe një shtetas boshnjak, shumë i njohur në botën e narkotrafikut. Sipas prokurorit, grupi është i strukturuar dhe i mirëorganizuar, pasi secili nga të pandehurit i ka rolet të ndara, që nga transporti deri tek gjetja e tregut.

Ata reflektonin ndaj cdo aksioni policor që bëhej, tha prokurori, duke ndërruar adresat dhe telefonat, si dhe duke shantazhuar dhe kërcënuar të arrestuarit.

Top Channel