Statusi, nisni dialogun

27/06/2011 20:10

Ambasadori hungarez, Sandor Molnari kërkoi edhe njëherë që mes opozitës dhe mazhorancës të krijohet rruga e dialogut, si forma e vetme për plotësimin e kërkesave që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.

“Hungaria mbështet Shqipërinë përsa i përket marrjes së statusit kandidat, por është shumë e rëndësishme që të plotësojë të gjitha kërkesat që ne kemi diskutuar në nëntor të vitit të shkuar. Unë dua që t’i bashkohem thirrjes që të fillojë dialogu mes mazhorancës dhe opozitës, cka do të ndihmonte në marrjen e statusit”, deklaroi Molnari.


Mbështetja e BE për mjedisin

Në këtë takim, ku u disktua për mjedisin dhe sfidat e tij, u tha se Bashkimi Europian nga viti 2008 deri më tani ka dhënë 105 milionë euro, për të cilat krerët e BE-së në Shqipëri kanë kërkuar transparencë.

“Këto janë para të taksapaguesve. Ne kemi vendosur një bashkëpunim të mirë me ministrin e Mjedisit, që këto para të shpenzohen sic duhet”, deklaroi ambasadori Ettore Sequi.

Mjedisi do të ndikojë në zhvillimin makroekonomik të vendit, ndaj, sipas studimeve të paraqitura në këtë takim, do të kërkohet që në vitet e ardhshme 2 deri në 3% të GDP të shpenzohet për disa sektorë të rëndësishëm, sic është administrimi i mbetjeve, ujërave dhe ulja e ndotjes së ajrit.

Top Channel