Borxhi , laku i ekonomisë

21/06/2011 16:05

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani deklaroi se Shqipëria
nuk  mund ta financojë dot më rritjen ekonomike, përmes borxhit nga
jashtë, por duhet të kërkojë burime të tjera te brendshme.

“Kriza e fundit dëshmoi për paqëndrueshmërinë e modeleve të rritjes, bazuar kryesisht tek kërkesa e brendshme dhe borxhi”, tha Fullani.

Kërkesa e lartë për konsum ka qenë burimi kryesor i rritjes ekonomike në Shqipëri gjatë 20 viteve të fundit. Por sipas Bankës kjo kërkesë nuk është mbështetur nga rritja e prodhimit vendas, por është financuar nga flukset e të ardhurave nga jashtë, në formën e dërgesave, ose borxheve. Guvernatori tha në konferencën shkencore, që banka organizoi me universitetin e Oksfordit se tani kjo është e vështirë.

 “Ndërsa modeli IDA ishte i bazuar në mbështetje të bilancit të pagesave, në grande, në kredi të buta, tashmë modeli i ardhshëm i rajonit në kuadër të konvergjencës së tij është modeli i tregut”, tha Fullani.

Edhe ministri i Financave Ridvan Bode, pranon se kushtet ekonomike tashmë kanë ndryshuar.

“Pas krize ndodhemi në një botë tjetër, në një botë të re ekonomike. Shumë aktorë ekonomikë presin që të rikthehen kushtet e periudhës së para krizës, që ata të jetojnë dhe një herë në atë lumë likuiditeti që ta kenë po aq të lehtë garën e konkurrencës së brendshme dhe rajonale. Në vend që të presin, që ato kohëra të kthehen, duhet të përveshin krahët për t’u përshtatur në këtë botë të re ekonomike pas krize”, tha Bode.

Prej dy vjetësh Banka e Shqipërisë po kërkon orientimin e ekonomisë drejt një profili të ri, që bazohet tek eksportet më shumë se sa kërkesa e brendshme.   

Top Channel