Kriza prek buxhetin

07/06/2011 08:00

Lajmet nga administrata tatimore nuk kanë qenë pozitive as në muajin maj, e kështu, Ministria e Financave vendosi të vërë në zbatim planin e reduktimit të shpenzimeve, duke prekur investimet.

Të dhënat operative nga tatimet flasin për një nivel të ardhurash larg planit të kërkuar nga ministria, ku vetëm nga TVSH-ja, mësohet se është krijuar një gropë prej 12 milionë dollarësh, më pak se viti i kaluar.

Në këto kushte, ministri Bode ka dërguar në Kryeministri planin e ri të të ardhurave dhe shpenzimeve për pjesën e dytë të vitit.

Gazeta “Shqip” mëson programin paraprak të buxhetit 2011 të rishikuar, ku ndër të tjera të ardhurat reduktohen me të paktën 170 milionë dollarë.

Pra, me planin e ri, për 6-mujorin e dytë, arka e shtetit do të mbledhë rreth 16 miliardë lekë më pak, e për rrjedhojë, po aq do të jetë reduktimi i shpenzimeve buxhetore.

Kriza në sektorin privat ka ndikuar në mungesën e të ardhurave në buxhet, shenja këto që u paralajmëruan në fillim të vitit, por qeveria nuk i mori në konsideratë.

Një tjetër detaj nga buxheti i ri ka të bëjë me investimet publike. Pjesa më e rëndësishme e buxhetit të shtetit dhe për ekonominë shqiptare duket se është infektuar nga kriza e të ardhurave.

Në totalin e shkurtimeve, rreth 100 milionë dollarë i takojnë investimeve publike. Pra, për pjesën e dytë të vitit do të kemi të paktën 9.1 miliardë lekë më pak investime, ku mësohet se sektorët më të goditur janë arsimi dhe shëndetësia, ndërsa prioritet do t’i jepet rrugëve.

Shkurtimi i shpenzimeve nuk do të prekë politikën e re të pagave dhe pensioneve. Është pikërisht ky kusht që e vendos Ministrinë e Financave në situatë të vështirë.

Kryeministri Berisha ka kërkuar një rritje të pagave dhe pensioneve pavarësisht situatës negative në arkën e shtetit, ndërsa ministria është vënë në kërkim të parave.

Zgjidhje ka gjetur te reduktimi i investimeve. Ministria e Financave po tregohet e kujdesshme dhe me shumë imtësi po mundohet të gjejë burime alternative financimi për të mbështetur kërkesën e Kryeministrit për rritje të re pagash dhe pensionesh.

Situata me të ardhurat deri në muajin prill paraqitet në nivel tepër negativ, ku jo vetëm që nuk është realizuar plani vjetor, por nuk është mundur të arrihet as kuota e vitit të kaluar. Të ardhurat tatimore rezultojnë me më pak se 50 milionë dollarë, krahasuar me një vit më parë, për periudhën janar-prill.

Në maj, tatimet raportojnë për një gjendje pesimiste të bizneseve, ku një pjesë e mirë nuk kanë mundur të bëjnë deklaratat tatimore në kohë, duke konfirmuar krizën e sektorit.

Deri në fund të muajit prill 2011, qeveria ka mundur të mbledhë 103 miliardë e 666 milionë, nivel ky që i qëndron shumë larg planit të vendosur nga Ministria e Financave, ndërsa për të gjithë vitin duhet të arkëtojë rreth 360 miliardë lekë.

Sa i takon shpenzimeve në total, deri në fund të muajit prill arrijnë në rreth 120 miliardë lekë, nga 112 miliardë të realizuar në 2010-n, me rritje më pak se 2 për qind.

Lidhur me investimet e realizuara, Ministria e Financave deklaron se ishin rreth 24.7 miliardë lekë (250 milionë dollarë), gati 50 milionë dollarë më tepër se në vitin 2010.

Në këto kushte, bilanci i buxhetit, pra deficiti arriti në rreth 15 miliardë e 888 milionë lekë, kurse i gjithë plani i deficitit për 2011-n është 46.8 miliardë lekë.

Me ndryshimet e fundit te shpenzimet, deficiti buxhetor pritet të pësojë zbutje, pasi niveli aktual paraqet rrezik për financat e vendit dhe borxhin publik në tërësi.

Top Channel