Italia në festë

02/06/2011 20:15

Dy qershori, Festa e Republikës Italiane, u përkujtua me një paradë ushtarake, e cila këtë vit ishte shumë madhështore me rastin edhe të festimeve të 150 vjetorit të unitetit të vendit.

Në kryeqytet u mblodhën delegacione nga 80 vende, mbi 40 kryetarë shtetesh nga e gjithë bota. Pikërisht prania e një numri kaq të madh autoritetesh të larta bëri të nevojshme marrjen e masave të larta të sigurisë.

2500 forca të policisë vigjiluan me ndihmën e snajperave, njësive të specializuara dhe helikopterëve për sigurinë nga lartë, megjithëse hapësira ajrore mbi kryeqytet është e mbyllur që nga orët e para të mëngjesit deri në orën 22.

Ndër të ftuarit e nderit kanë qenë edhe presidenti i Shqipërisë, zoti Bamir Topi dhe presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.

Pikërisht prania e kreut të shtetit kosovar duket se ka cuar në anulimin e pjesëmarrjes së delegacionit serb në festime.

Akt ky që u kritikua nga nënsekretari italian për cështjet e jashtme, Alfredo Mantica, i cili vuri në dukje se presidenti serb ka lajmëruar nëpërmjet shtypit se nuk do të marrë pjesë dhe se mund të gjente një rast tjetër për të protestuar e jo pikërisht Festën e Republikës Italiane.

Kryetari i shtetit, Giorgio Napolitano, i cili lavdëroi veprimtarinë e forcave të armatosura italiane në ruajtjen e paqes dhe sigurisë, përpara fillimit të paradës takoi një për një të gjithë kryetarët e delegacioneve.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi i uroi Festën e Republikes homologut të tij italian, e vuri theksin dhe vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA