LSI: Të ndalet retorika e ashpër

21/05/2011 12:40

Partia Lëvizja Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje palëve politike që të heqin dorë nga retorika e tyre e ashpër.

Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili është shprehur se klasa politike duhet të fokusohet tek detyrimet që ka për integrimin evropian.

“Në këtë klimë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, LSI u bën thirrje partive që të lënë mënjanë retorikat destruktive, të respektojnë procesin në të gjitha etapat e tij dhe institucionet. Sot është momenti kur politika shqiptare duhet të përqendrohet tek realizimi i detyrimeve për integrimin evropian, si mundësia e vetme për zhvillim ekonomik dhe social të Shqipërisë”, ka deklaruar Vasili.

Gjatë deklaratës, përfaqësuesi i LSI ka përshëndetur deklaratën e Departamentit të Shtetit, që bënte thirrje për forcimin e demokracisë.

“Ne mbështesim vlerësimin e ndihmës-sekretarit të Shtetit, Philip Gordon, që thotë se populli shqiptar meriton një demokraci të besueshme e të begatë, të bazuar në shtetin ligjor”, ka pohuar Vasili.

Më tej ministri i Shëndetësisë ka vlerësuar procesin zgjedhor të 8 majit, duke u shprehur se, “fituan forcat politike që morën rezultatet përkatëse me një administrim transparent të votës”.

Top Channel