Investitorët e huaj, kundër Kryeministrit

13/05/2011 08:00

Investitorët e huaj e konsiderojnë ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, si tepër të rrezikshëm për planet e tyre të biznesit, me efekte gjithëpërfshirëse.

Në një kohë kur vëmendja e opinionit publik është e përqendruar te zgjedhjet e pushtetit lokal, dhomat e huaja më të fuqishme të tregtisë, përfshi shoqatën e investitorëve dhe shoqatën e bankave, kanë zhvilluar dje në Tiranë një takim, i pari i këtij lloji, organizuar nga Dhoma Britanike e Tregtisë.

Ato kanë diskutuar mbi variantin e ri të qeverisë, që propozon një rritje të taksës për fitimet e larta deri në 30 për qind, nga 10 për qind që është aktualisht.

“Qeveria, me planin e ri që kërkon të vërë në zbatim, hedh poshtë të gjitha premtimet për taksën e sheshtë. Vendosja e regjimit të ri prish imazhin e Shqipërisë dhe thyen besimin e investitorëve të huaj. Kjo nuk është e drejtë”, u shpreh në tryezën e tatimit njëri nga përfaqësuesit e dhomave të huaja të tregtisë, ku nuk mungonte edhe shoqata e investitorëve të huaja.

Në takim nuk ka marrë pjesë asnjë përfaqësues nga Ministria e Financave apo nga Ministria e Ekonomisë, e cila mbulon sektorin e biznesit.

Gazeta “Shqip”, mëson se të gjitha dhomat e tregtisë, në unison janë shprehur në mënyrë kategorike kundër projektligjit, i cili erdhi për miratim në Këshillin Konsultativ të Biznesit, por u tërhoq në momentin e fundit, për t’u rikthyer sërish.

Kjo lojë nervash e qeverisë, nuk u ka shkuar për shtat bizneseve të huaja, të cilat kërkojnë të rivendosin regjimin e mëparshëm.

Top Channel