Zgjedhjet, ndërhyjnë ambasadorët

12/05/2011 13:20

Që zgjedhjet shqiptare në këto momente të tensionuara po i përmbahen kontureve të një procesi demokratik, një meritë të vecantë duket se kanë ndërkombëtarët.

E enjtja ka nisur plot tension në katër njësitë vendore, ku nuk ishte mbyllur ende procesi i numërimit.

Ndërsa ishte lënë të niste që në mëngjes, numërimi ka nisur vetëm në orën 11.30. Si për rastësi, një orë përpara ambasadori amerikan takoi kryeministrin Berisha dhe më pas liderin socialist Edi Rama.

Vizitën e pare zoti Arvizu e kreu në selinë e kryeministrisë, i shoqëruar nga vëzhguesit zgjedhorë të dërguar nga SHBA, ku u pritën nga kryeministri Sali Berisha.

Në njoftimin zyrtar thuhet se ambasadori amerikan Arvizu tha në fjalën e tij se ky mision vëzhgimi me rreth 60 vëzhgues, ishte një kontribut i drejtpërdrejt i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor.

Ambasadori amerikan shtoi më tej se ky mision është një dëshmi i miqësisë së SHBA ndaj Shqipërisë, por edhe angazhimit ndaj vlerave që vendet ndajnë së bashku.

Nga ana e tij kryeministri Berisha, nënvizon njoftimi, vuri në dukje se procesi zgjedhor që po zhvillohet mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar nga ndërkombëtarët dhe se përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton saktësi maksimale në këtë proces.

Kryeministri theksoi se cdo votë e hedhur në kutitë e votimit do të numërohet me saktësi të plotë dhe se në këto zgjedhje fituan shqiptarët.

Pak caste pas këtij takimi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Alexander Arvizu ka vizituar selinë e Partisë Socialiste.

Diplomati amerikan nuk bëri asnjë koment pasi doli nga selia rozë, ku është takuar me kreun e kësaj partie Edi Rama.

Ndonëse nuk ka asnjë deklaratë zyrtare, mësohet se ambasadori amerikan ka adresuar mesazhe të qarta për të dy liderët e politikës lidhur me momentin në të cilin ndodhet procesi zgjedhor.

Dhe momenti në të cilin ai ndodhet ka të bëjë kryesisht dhe vetëm me numërimin dhe përfundimin sa më të shpejtë të tij.

Një ditë më parë, zëdhënësja e komisionerit për Zgjerimin Shtefan Fyle, përgëzoi qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen e qetë dhe masive në zgjedhje.

Por zonja Butler, e pyetur për vonesat në procesin e numërimit u shpreh se për këtë duhej pyetur kryeministri i Shqipërisë, zoti Berisha.

Nga ana tjetër, në cdo moment tensioni në Tiranë, është parë një prani e gjerë e vëzhguesve të OSBE-ODIHR dhe misioneve diplomatike të akredituara në Tiranë.

Top Channel