Libi, rebelët marrin aeroportin kryesor

11/05/2011 17:25

Rebelët libianë kanë marrë nën kontroll aeroportin e qytetit të Misratës, duke zmbrapsur trupat besnike ndaj kolonelit Muammar Gaddafi.

Qindra rebelë raportohet se kanë festuar në rrugët e qytetit pasi trupat pro-Gaddafi-t u larguan, duke lënë pas tanke, të cilave u është vënë zjarri.

Forcat qeveritare kontrollonin disa pjesë të qytetit perëndimor, i cili tani kontrollohet në masë të madhe nga rebelët.

Porti i tij është bërë një “litar shpëtimi” për furnizimin e civilëve me ndihma dhe për evakuimin e personave të plagosur nga luftimet.

Ndërkohë, në Tripoli edhe sot raportohet të jenë dëgjuar shpërthime, pas njoftimit të NATO-s se avionët e aleatëve kanë kryer mbi 6 mijë misione mbi Libi që nga fillimi i operacioneve ushtarake.

Sulmet ajrore kanë ndihmuar rebelët që të ruajnë bastionet e tyre në lindje të Libisë, por vëzhguesit thonë se mbetet e paqartë mënyra se si ata i kanë marrë Gaddafi-t kontrollin e perëndimit të vendit.

Top Channel