I biri i Bin Laden: SHBA, vrasje arbitrare

11/05/2011 16:40

I biri i Osama bin Laden ka akuzuar autoritetet ushtarake amerikane se kanë kryer një “vrasje arbitrare”.

Në një deklaratë për “New York Times”, Omar bin Laden ka deklaruar se familja e tij dëshiron të dijë përse lideri i Al Kaedës nuk u arrestua i gjallë.

Gjithashtu, ai ka kërkuar që familjarët dhe të afërmit e tij që i mbijetuan sulmit të navy seal më 2 maj të lirohen dhe t’i kthehen familjes.

Gjithashtu, i biri i sheikut të terrorit ka kritikuar edhe mënyrën e varrimit të të atit, që sipas tij ishte “përulëse dhe poshtëruese” për familjen e tij.

Osama bin Laden u qëllua për vdekje në kokë nga forcat speciale amerikane gjatë operacionit të kryer në rezidencën e tij në Abotabad të Pakistanit.

Autoritetet amerikane kanë deklaruar se sheiku ishte i paarmatosur në momentin e ndërhyrjes, por nuk tregoi vullnet për t’u dorëzuar.

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder deklaroi se vrasja ishte tërësisht ligjore dhe një “akt kombëtar vetëmbrojtjeje”.

Por Omar bin Laden pretendon se vrasja e të atit përbën shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe kujton se edhe diktatorëve Saddam Hussein dhe Sllobodan Milloshevic iu dha mundësia për një proces gjyqësor.

Top Channel