PS: Policia, dhunë komisionerëve tanë

10/05/2011 15:00

Partia Socialiste ka denoncuar para pak castesh dhunën që sipas saj po ushtron Policia e Shtetit ndaj komisionerëve të majtë në KZAZ-në numër 54, në njësinë numër 10 të Tiranës.

Në një tjetër deklaratë për shtyp, deputetja Mimi Kodheli ka denoncuar edhe mospranimin e mediave në këtë qendër, që sipas saj bëhet për të fshehur shkeljet e PD.

“Denoncoj dhunën e Policisë së Shtetit ndaj numëruesve dhe vëzhguesve të majtë në KZAZ-në numër 54, njësia 10. Dhuna e policisë është totalisht e paligjshme, e pajustifikueshme dhe cënon jashtëzakonisht këtë proces. Ndërkohë, media mbahet jashtë qendrës së numërimit për të mos lejuar pasqyrimin e ngjarjes”, ka deklaruar Kodheli.

Sipas saj, ka një tentativë të komisionerëve demokratë për të nisur numërimin pa praninë e atyre socialistë.

“PS i bën thirrje Berishës që të largojë kthetrat nga ajo që për popullin është më e shtrenjtë, liria e votës”, është shprehur Kodheli, e cila në emër të PS u ka bërë thirrje banorëve të kësaj njësie që të dalin në protestë.

“Qytetarët e Tiranës të dalin tek shkolla “Avni Rustemi” dhe “Vasil Shanto” dhe të mbrojnë të drejtën e tyre, që vota të lexohet në mënyrë transparente, në kundërshtim me tentativën kriminale të kësaj qeverie për të deformuar vullnetin e tyre të lirë”, ka shtuar Kodheli.

Top Channel